Lidhja Demokratike e Kosovës ka nënshkruar marrëveshjet e koalicionit dhe madje ka përgatitur edhe programin qeverisës të cilin dje i mandatuari për kryeministër, Avdullah Hoti e prezantoi para deputetëve të partisë së tij.
Por, sipas analistëve edhe nëse me vendim të Gjykatës Kushtetuese shpallet i vlefshëm dekreti i presidentit, prapë nuk është e sigurt që LDK-ja dhe partitë tjera mund të formojnë qeveri të re.
Analisti politik, Mazllum Baraliu theksoi se edhe nëse Gjykata Kushtetuese do të jepte vendim në favor të LDK-së është diskutabile nëse kjo parti bashkë me koalicionet do t’i ketë numrat për të bërë qeverinë.
“Është diskutatabil ende nëse do ta ketë kjo tentativë që t’i ketë numrat për të votuar qeveri, sepse ka luhatje, jo vetëm nga anëtarët potencial të koalicionit, respektivisht nga deputetët e tyre, ë mund të jenë edhe deputet nga vet subjekti që po pretendon ta bëj dhe ta udhëheq, mund të ketë deputet që janë deklaruar tashmë, mund të ketë edhe të tjerë që mund të mos e votojnë këtë Qeveri. Ka thyerje, ka dilema e pakënaqësi dhe pikëpamje të ndryshme se a mund të bëhet dhe a do të bëhet kjo qeveri a jo, pikërisht nga vet ky koalicion i pretenduar. Jam skeptik që i kanë bërë mirë dhe si duhet, të gjitha përgatitjet ashtu siç po deklarojnë këta lehtë e shpejt, këta të këtij koalicioni dhe posaqësisht eksponentë të LDK-së, dhe e kanë mundësinë dhe e kanë bërë programin e numrat për një Qeveri të tillë”, tha Baraliu për Telegrafin.
Drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, tha se nëse ka më shumë se dy deputetë të LDK-së që nuk e përkrahin formimin e kësaj qeveria, atëherë atyre do të ju duhen edhe votat e Aleancës Kosova e Re.
“Edhe para se kjo të shkonte në Gjykatë Kushtetuese ka qenë diskutim se a i ka a jo numrat për tu zgjedhur kjo Qeveri, për shkak të dyshimeve se dy ose tre deputetë të vet LDK-së nuk do ta votojnë këtë qeveri, atëherë do të ju duheshin votat edhe të AKR-së. Nëse votat e LDK-së nuk janë më tepër se dy mangu, atëherë me gjasë mund ta formojnë qeverinë vet dhe nuk do të kenë nevojë për votat e AKR-së, natyrisht nëse Gjykata Kushtetuese thotë se dekreti i presidentit është i vlefshëm”, tha Demhasaj.
Ndërsa sa i përket shumës prej një miliard eurosh të cilën e ka premtuar Avdullah Hoti si shumë që do të shpërndahet për rimëkëmbjen e ekonomisë, Baraliu tha se kjo është një shumë parash e cila nuk është e mundur të grumbullohet në një kohë të shkurt.
Baraliu tha se kjo ka qenë një deklaratë e pamenduar mirë dhe se nuk bën që këtë lloj deklarate ta jap dikush që madje është profesionist i fushës së ekonomisë siç është Avdullah Hoti.
“Ne nuk e kemi borxhin publik në përqindje të madhe formalisht, por e kemi në rrezik aq sa e kemi edhe me këto hua e kredi që po duan t’i marrin këtë nga Banka Botërore, Fondi Monetar ose në ndonjë bankë evropiane ose Qeveri, mund ta rrezikojnë përqindjen e GDP-së, dhe për financat dhe për Qeverinë nuk guxojnë ta rrezikojnë këtë, ndërkohë që me këto të ardhura mbase mund të rrezikohet edhe ajo përqindje. A duhet të na fusin borxh për 50 vitet e ardhshme përveç të gjitha gabimet e tyre, e tani të gjithë njerëzit të punojnë për gabimet e tyre e për teket e tyre do të thoja unë makiaveliste. Të japin deklarata të pamenduara, veçanërisht nuk u lejohet të japin këso deklarata njerëzve të profesionit”, tha Baraliu, duke theksuar se ende nuk është një dhënë vendimi nga Gjykata Kushtetuese.
Grumbullimi i një miliard eurove brenda këtij viti, për t’i shpërndarë pastaj si pako e rimëkëmbjes ekonomike, pas vështirësive të shumta që hasën bizneset me mbylljen e tyre, si masë parandaluese e përhapjes së coronavirusit, shihet me shumë skepticizëm edhe nga Demhasaj.
“Unë e kam përcjellë edhe në medie zotëri Hotin edhe ai u mundu me jep arsyetime se si do të arrijë me i grumbullu këto 1 miliardë euro, por njëmend nuk kuptova se ka ndonjë mundësi që mundet me u arrit. Ai mendojke përmes kursimeve në investime e disa të tjerave, por njëmend me u siguru një miliard euro brenda vitit nuk e di qysh është e mundur, pasi ne e dijmë sa shumë para shkojnë për rroga, meditje e sa pak mbesin për investime kapitale”, tha Demhasaj.
Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu ka deklaruar se është e gatshme të udhëheq dialogun me Serbinë, ndërkaq sipas Baraliut, gatishmëria e kësaj partie për të nënshkruar këtë marrëveshje është e rrezikshme.
“Kjo gatishmëri e LDK-së si gjithmonë më herët bashkë me PDK-në, me gabimet që i kanë bërë ata prej marrëveshjes për Asociacionin që e patën bërë në prill të vitit 2013, që fatkeqësisht i aknë humbur tentakulat dhe kanë rreziku shtetin e funksionimin e tij, me një pushtet të tretë të ndërmjem, ajo e gushtit dhe shumë marrëveshje tjera, pastaj demarkacionin, thjeshtë është frikësuese, se nuk është e lehtë e as e thjeshtë të nënshkruhen në mënyrë infantile, paragjykohet se nënshkrimi do të bëhet me çdo kusht, do të thotë këta njerëz janë të gatshëm të pranojnë çfarëdo teksti nga kushdo qoftë, vetëm që të jenë mirë me dikë, ndërkohë që vendin ta rrezikojnë siç e kanë rrezikuar edhe më herët. Për mua është infantile dhe një lloj kamuflazhi kjo gatishmëri e tyre për marrëveshje, tha Baraliu.
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York
Katër arsye pse disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje?
Arioni humb durimin me Gresën, çohet nga tavolina dhe i repl...
Liverpool – Real Madrid/ Notat e lojtarëve, Mac Allister më ...
Ofertë Ekskluzive për Black Friday nga NimiTV: Abonohu Tani ...
FBI: Kërcënime me bombë ndaj kandidatëve të kabinetit të Tru...