Google ADS

LDK-ja mban takimin e radhës për finalizimin e programit “Rruga e Re”

11:46 | 6 Shtator 2023
Diellza Gashi

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), sot ka vazhduar me takimin e radhës me akterët kryesorë të partisë për finalizimin e programit “Rruga e Re”.

Po vazhdon dita e dytë e mbledhjes dhe kjo parti ka diskutuar për detajet e fundit të projekteve madhore që përfshijnë sektorin e ekonomisë, energjisë, arsimit, etj, shkruan Arbresh.info.

“Ky program ka për qëllim të tejkalojë mendësinë e vjetër të mospunës dhe jo kompetencës, një realitet me të cilin Kosova po përballet për një kohë të gjatë. Programi “Rruga e Re” flet vetëm për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Projektet madhore që janë paraqitur gjatë këtyre takimeve, e që do të jenë pjesë e programit “Rruga e Re”, janë projektet më të mëdha që mund të ndodhin gjatë 30 viteve të fundit”, njofton LDK-ja.

Po ashtu, LDK-ja ka thënë se po vazhdon angazhimin e saj ndaj vlerave të djathta dhe është e përkushtuar për integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Me këtë program, LDK shpreh një qëndrim të qartë ndaj ndryshimit dhe përmirësimit të gjendjes së vendit në të gjitha dimensionet. Dita e dytë e mbledhjes shënon një fazë të rëndësishme në finalizimit e programit “Rruga e Re”, duke i dhënë formën përfundimtare vizionit që LDK do të prezantojë për qytetarin e Kosovës”, përfundon njoftimi./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme