Google ADS

LDK-ja e mohon që nuk ia dha nënshkrimet PSD-së kundër Thaçit

16:07 | 18 Korrik 2018
M. A.

Lumir Abdixhiku i LDK-së insiston se partia e tyre do të shfrytëzojë secilin mjet që ta ndalojë marrjen e vendimeve në emër të Kosovës, nga persona jo të legjitimuar për ta drejtuar dialogun Kosovë – Serbi, duke aluduar për presidentin Thaçi. Ndonëse nuk tregojnë pse s’i dhanë nënshkrimet në nismën e PSD-së që ta ndalojnë Thaçin drejt Brukselit, deputeti i LDK-së thekson se janë të hapur ta shqyrtojnë çdo alternativë për këtë çështje.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh deputetja e Partisë Social Demokratike (PSD), Aida Dërguti, ka deklaruar dje se LDK-ja dhe VV-ja, nuk i dhanë nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për platformën e dialogut, nismë kjo e PSD-së që do ia pamundësonte presidentit nisjen në Bruksel.

Madje, Dërguti i akuzoi të dyja subjektet politike, LDK-në e VV-në se nënshkrimet e tyre nuk i dhanë vetëm pse është iniciativë e PSD-së.

Por Lumir Abidhxiku, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo që ka bërë zhurmë të vazhdueshme opozitare kundër Thaçit në dialog, thekson se ata janë të hapur për çdo alternativë që lidhet me situatën aktuale të dialogut, veçanërisht udhëheqjen e dialogut nga shefi i shtetit. Thotë se nuk është e vërtetë që ata kanë refuzuar dhënien e nënshkrimeve.

“Jo nuk është e vërtetë. Ne mbesim të interesuar të shfrytëzojmë secilin mjet demokratik të mundshëm për të ndaluar marrjen e vendimeve në emër të Kosovës nga individë që nuk kanë autorizim për një gjë të tillë. Jemi të hapur për të shqyrtuar gjithë alternativat në këtë drejtim”, është shprehur Abdixhiku, të mërkurën, për Express.

Ky zyrtar i partisë së Isa Mustafës, bën të ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se drejtuesit e institucioneve aktuale dhe individët e tjerë të infiltruar në pushtet për kusure politike, nuk kanë autoritet, nuk kanë legjitimitet dhe as mbështetje popullore që ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës në dialogun me Serbinë.

Sidoqoftë, sot, krerët e shtetit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj e Dardan Gashi, janë nisur për në Bruksel, për t’u takuar atje me shefen e BE-së për politikë të Jashtme, Federica Mogherini.

Zyra e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pas takimit mes presidentëve, atij kosovar dhe atij serb, njofton se në takimin disaminutësh mes Thaçit, dhe Vuçiqit, u diskutua për hapat drejt arritjes së një marrëveshjeje të obligueshme. Në njoftimin e dhënë nga zyra e Mogherinit thuhet se presidentët u pajtuan që takimin e radhës ta mbajnë pas disa javësh.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme