Lidhja Demokratike e Kosovës është distancuar nga deklaratat e ish-ministrit të punëve të Brendshme, dhe anëtarin e kryesisë së këtij subjekti, Skender Hyseni, i cili ka thënë se rrëzimi i Qeverisë do të ndikonte negativisht për vendin. Madje, kreu i kësaj partie, Isa Mustafa përsërit se kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi.
Në një konferencë për medie, pas takimit me kryetarët e degëve, Mustafa tha se LDK është e preokupuar me mënyrën se si po udhëhiqet vendi, pasi sipas tij, Qeveria e Kosovës dhe koalicioni qeverisës e kanë lëshuar rrugën e konceptit të ekonomisë së tregut dhe ka filluar të ndërtojë një shtet social, duke zgjuar kështu sipas tij, një pakënaqësi të brendshme.
“Për ta rrëzuar Qeverinë duhet të jem i sinqertë me iu duhet të kemi vota dhe tani ne kemi votat e LDK-së dhe jam i bindur sa i përket votave të LDK-së, asnjë nuk na mungon, asnjëri nuk sëmuret ditën që kishim me e votua, as nuk ka punë të tjera jashtë. Sa i përket partive të tjera nuk mund të flas për to, sa i përket Vetëvendosjes ata janë deklaruar, tash një parti tjetër në Kuvend po bashkëpunon me koalicionin qeverisës dhe në momentin që ne i kishim bë votat, nesër me i bë votat disponimi jonë është që këtë qeveri ta rrëzojmë… Unë mund të iu them shkurt se nuk pajtohem me atë deklaratë (të Skender Hysenit) si kryetar i LDK-së dhe mund të iu them gjithashtu që nuk pajtohet LDK-ja”, tha Mustafa, raporton kp, përcjell Telegrafi.
Duke nisur nga vënia e taksës prej 100 përqind për mallrat serbe, dialogun në Bruksel e çështje të tjera, Mustafa thotë se Qeveria Haradinaj nuk e ka vënë në pikëpyetje raportet e Kosovës me BE-në.
Ai ka komentuar edhe letrën e presidentit amerikan, Donald Trump, dërguar presidentit të vendit, Hashim Thaçi. Derisa u shpreh se LDK-ja nuk do të bëhet pjesë përgjegjëse për dialogun, pasi kjo është përgjegjësi e Qeverisë.
LDK sipas Mustafës në këtë proces i mbetet besnike dokumentit të saj mbi bazat e zhvillimit të këtij dialogu.
Mustafa: Qeveria e Kosovës e pakujdesshme ndaj letrës së Trumpit
“Për ne po ashtu është e pakuptimtë që institucionet e Republikës të Kosovës, në momentin kur Kosova ka marrë një letër nga presidenti Trump, në të cilën kërkohet që çdo palë të përmbahet nga veprimet dhe nga vendimet të cilat i bëjnë dëm procesit të dialogut dhe të njohjes reciproke, Qeveria e Kosovës për arsye të veta më shumë populliste, i shton masat e taksës 100 përqind dhe shton nomeklaturën e mallrave të kësaj takse ën vend se të ketë konsideratë ndaj një letre që na vjen nga një president i një shteti të veçantë mik dhe, nga i cili varet edhe marrëveshja, por edhe ardhmëria e Kosovës”, u shpreh ai.
Ai nuk ndjehet i penduar për zgjedhjen e Hashim Thaçit si president, meqë sipas tij, LDK është një parti e cila u përmbahet marrëveshjeve.
“S’mund të pendohem sepse nuk është bërë për interesa të veçanta, por është bërë sepse në atë kohë ne kemi vlerësuar se duhet me e bë prapë Qeverinë që të mos ta bimë vendin në krizë dhe z. Thaçi na e kemi votu për president sepse kemi respektu marrëveshjen. Dhe, ne do ta respektojmë çdo marrëveshje që nesër e bëjmë me një partner të koalicionit. Nëse se ka respektu z.Thaçi dhe PDK-ja, është problem i tyre, problem i atij që e shkel marrëveshjen, dhe ky problem na bie tani tek ky mosbesim”, u shpreh Mustafa.
Njëherësh, i pari i LDK-së u shpreh se atëkohë ka qenë i kënaqur me punën e ministrave të PDK-së dhe LDK-së.
Sipas tij, e arritura e tyre më e madhe ka qenë në Bruksel, ku e kishin bindur presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq që të pajtohej se Asociacioni mund të bëhet vetëm nëse Gjykata Kushtetuese thotë ashtu.
Përndryshe, Mustafa është i bindur se partia e tij e ka besimin e qytetarëve me rreth 27-30 përqind të tyre. Ndërsa thotë se do të fokusohen në dy çështje: uljen e papunësisë dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...