LDK i reagon ashpër Thaçit për krahasimin e Kosovës me Palestinën: Ky është naivitet i rrezikshëm

19:23 | 28 Qershor 2018
Arbresh.info

Lidhje Demokratike e Kosovës nuk po pajtohet assesi që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të vazhdojë dialogun me Serbin. LDK në një njoftim për media ka kërkuar që Thaçit t’i vendosen vija të kuqe. “Prandaj, është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend urgjentisht të vendosin vijë të kuqe për Presidentin që, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit”.

Ky është reagimi i plotë i LDK’së:

Vijë të kuqe për Presidentin.

Presidenti i Kosovës, i paautorizuar për të udhëhequr dialogun me Serbinë, sot, ende pa nisur mirë ky dialog, hoqi të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë sonë.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë që ka projektuar dhe ka themeluar shtetin e Kosovës, shtetësia e Kosovës ka marrë zgjidhje përfundimtare gjatë Procesit të Vjenës, ka marrë formë me Deklaratën e Pavarësisë dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar me Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Së këndejmi, secili proces i pakushtëzuar ndaj rendit tonë kushtetues dhe secili krahasim me shtetësinë e Palestinës përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Prandaj, është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend urgjentisht të vendosin vijë të kuqe për Presidentin që, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit.

Prishtinë, 28 qershor 2018

Lidhja Demokratike e Kosovës

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme