LDK i përgjigjet PDK’së: Në videon e fajdeve përmendet Kadri Veseli dhe 200 mijë euro për të

17:35 | 29 Maj 2019
L G

Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media ka reaguar në lidhje me deklaratat e nënkryetarit të PDK-së Uran Ismaili sot në një konferencë për media ku ka akuzuar zyrtarë të LDK-së se i kanë dhënë leje që spitali privat të ndërtohet në hapësira të QKUK-së.

Sipas reagimit të LDK-së në video incizimet e publikuara ditët e fundit, vërehet qartë që nuk kërkohen mito e fajde për leje të ndërtimit, lokacion të ndërtimit apo për licencë të Spitalit.

“Video incizimet janë publike, dihet qartë në ato video për çka kërkohet e ofrohet mito e fajde. Aty nuk kemi parë asnjë njeri të lidhur me LDK-në, por me PDK-në. Tani, sipas ministrit të Veselit qenka fajtor ekzistenca e Spitalit, që njerëzit paskan kërkuar fajde, duke u thirrur edhe në shefin e tij”, thuhet në reagim të LDK-së.

Sipas kësaj partie këto janë përpjekje e veprime të ulta dhe dëshpëruese të Uran Ismailit për ta shpëtuar shefin e tij, për të cilin në këto video incizime, thuhet se i kanë dhënë 200 mijë euro, për të cilën duhen dhënë fjalën e fundit organet e drejtësisë.

“Plotësisht pajtohemi dhe i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të hulumtojnë dhe të vërtetojnë nëse ka pasur mito e fajde gjatë ndarjes së lokacionit dhe dhënies së lejes së ndërtimit nga Komuna e Prishtinës ose gjatë dhënies së licencës nga organet përgjegjëse”, thuhet në reagim të LDK-së. Sipas LDK-së mbi të gjitha dhe përfundimisht, duhen vënë para drejtësisë ata që kanë marrë e dhënë mito e fajde. “ Emrat që përmenden në video, zyrtarë të lartë të PDK-së apo njerëz të afërm me ta, kanë marrë besimin e qytetarëve të Kosovës për të përmirësuar jetën e tyre. Prandaj, të lartpërmendurit, duhet të përgjigjen para ligjit dhe para qytetarëve të Kosovës. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë dhe ndaj të gjithëve”, thuhet në reagim.

Ndërkaq Ismaili kishte thënë se afera “Spitali” është një proces i gjatë, i cili ka filluar që nga viti 2003 dhe se LDK’ja kishte manipuluar derisa udhëheqte Komunën e Prishtinës.

“Afera Spitali” është një proces i gjatë, i cili ka filluar në vitin 2003, kur edhe është caktuar lokacioni për ndërtimin e këtij spitali privat në Prishtinë – për të cilin edhe janë bërë mashtrimet që kemi parë në video. Leja është dhënë nga Komuna e Prishtinës dhe është nënshkruar nga Kryetari i saj, që asokohe ishte Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Më pastaj, në vitin 2005 është ndryshuar lokacioni duke ju dhënë në shfrytëzim prona në kampusin e QKUK-së nëpërmjet një marrëveshje të nënshkruar nga Sami Hamiti, në atë kryeshef ekzekutiv i Komunës së Prishtinës. Në vitin 2006, Komuna e jep lejen urbanistike dhe në vitin 2007 aktvendimin për fillimin e ndërtimit të spitalit privat në kompleksin e QKUK-së”, ka thënë Ismaili.

Ismaili thotë se PDK’ja e kishte kundërshtuar ndërtimin e këtij spitali, por edhe përkundër këtij kundërshtimi, Komuna e Prishtinës dha pëlqimin e saj që ky spital të fillonte të ndërtohej.

“Ky vendim konsiderohej i gabuar edhe nga punëtorët shëndetësorë dhe pas protestave të tyre, në vitin 2007, Kryeministri i atëhershëm Agim Çeku kishte marrë vendim që të pushonin punimet e këtij spitali dhe kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës që ta ndryshonte vendimin.

Licencimi i këtij spitali do të rishfaqet në vitin 2015, kur drejtimin e Qeverisë së Kosovës e merr LDK, me Kryeministër Isa Mustafën”, ka thënë Ismaili.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme