Google ADS

LDK fton qytetarët në veri për qetësi: Kosovës i duhet maturi që të mos bien në grackën e Serbisë për destabilizimin e vendit

16:54 | 5 Nëntor 2022
E.H

Lidhja Demokratike e Kosovës i fton qytetarët në veri për qetësi ndërsa kërkon nga institucionet e Kosovës koordinim të ngushtë me ShBA-në dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë.

Kjo pasi Lista Serbe ka dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës si shenjë proteste për çështjen e targave si dhe për suspendimin e ish-drejtorit rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriq.

Përmes një komunikate për media nga Zyra e LDK-së thuhet se Kosovës i duhet maturi që të mos bie në grackën për destabilizimin e vendit që e synon Serbia

“Në kohën e zhvillimeve të fundit në veri të vendit, Kosovës i duhet udhëheqje e matur që nuk bjen në grackat destabilizuese të Serbisë, por që synim ka integrimin e vazhdueshëm e të plotë të serbëve të Kosovës e që mjet të domosdoshëm ka koordinimin e ngushtë me aleatë ndërkombëtarë. Politikat populliste, me synim turmat partiake para interesave madhore nacionale, i sjellin Kosovës dëme afatgjate dhe regres në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Tutje nga LDK bëjnë të ditur se pasojat e një destabilizimi të mundshëm, janë të papranueshme për vendin.

“LDK-ja i fton qytetarët në veri për qetësi; ndërsa institucionet e Republikës për koordinim të ngushtë me ShBA-të dhe aleatët tjerë evropianë.

Moskoordinimi me aleatët tanë ndërkombëtarë nga institucionet e Republikës së Kosovës, i nxitë dhe shërben agjendat destabilizuese e provokuese në territorin e Kosovës.

Pasojat e një destabilizimi të tillë janë të pariparueshme për vendin”, thuhet në fund të njoftimit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme