Google ADS

LDK bojkoton marrëveshjet ndërkombëtare, Hoti thotë se vendi duhet të shkoj në zgjedhje

12:06 | 26 Korrik 2018
Arbresh.info

Grupi Parlamentar i LDK-së është duke i bojkotuar në vazhdimësi Projektligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare që kërkojnë 2/3 e votave në Kuvendin e Kosovës.

Në pikën kur duhet të bëhej ratifikim i i Marrëveshjes Financiare për IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, nuk arritën të bëheshin më shumë se 80 vota duke pamundësuar kështu që të kaloj, raporton arbresh.info.

Vetëvendosje dhe Grupi Parlamentar i Partisë Social Demokrate u deklaruan se do ta mbështesnin atë, mirëpo LDK nuk e votoi marrëveshjen që i sjell Kosovës 48 milionë euro fonde të IPA-s.

Shefi i grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se LDK do ta thelloj bojkotin dhe krizën derisa vendi të shkoj në zgjedhje.

“Do ta thellojmë bojkotin derisa vendi të shkojë në zgjedhje”, u shpreh Hoti.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ia ktheu duke i thënë se Kuvendi nuk është fontanë dëshirash dhe se duhet të votohen projektligjet dhe marrëveshjet që janë në interes të qytetarëve dhe kushtetutshmërisë.

“Secili e shpreh përgjegjësinë pavarësisht vullnetit ose dëshirave, këtu nuk është fontanë dëshirash, këtu votohet për interes të qytetarëve të vendit dhe për interes të kushtetutshmërisë. Shihet qartazi tendenca juaj për bojkot”, u shpreh Veseli.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tha se LDK po e ndërron fytyrën çdo 5 minuta.

“Grupi parlamentar i LDK-së po mendojnë se janë tu tregu se janë shumë të rëndësishëm dhe se ligjet që kërkojnë 2/3 e votave nuk mund të kalojnë pa ta. Po e ndërrojnë fytyrën çdo 5 minuta. Kjo marrëveshje që LDK po e bojkoton po ia humb Kosovës 48 milionë euro përmes fondeve të IPA-s”, ka thënë Krasniqi duke kërkuar që të ndërpritet seanca dhe të mblidhet Kryesia e Kuvendit.

Kryeparlamentari Veseli e ka ndërprerë seancën duke kërkuar pauzë 15 minuta./Arbresh.info

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme