Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) po pretendon t’i ketë liruar të gjitha pronat e uzurpuara në Kosovë. Në këtë institucion janë zotuar se AKP-ja në bashkëpunim me Policinë e Kosovës (PK) ka ndërmarrë aksione në gjithë territorin e Kosovës për lirimin e aseteve. Duke iu referuar përgjigjes zyrtare që zyrtarët për informim në këtë institucion kanë dhënë për gazetën “Zëri”, kanë mbetur vetëm disa toka bujqësore që po shfrytëzohen nga persona të paligjshëm që nuk kanë mundur t’i identifikojnë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Asnjë pronë nuk ka mbetur e uzurpuar në Kosovë. Edhe tri lokale në veri të Mitrovicës, të cilat ishin mbajtur të “uzurpuara” për një kohë, kanë arritur të lirohen. Të paktën kështu kanë deklaruar zyrtarët për informim në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Ylli Kaloshi, zyrtar për informim në AKP, në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” ka konfirmuar lajmin për lirimin e të gjitha aseteve në pronësi shoqërore te të cilat janë identifikuar shfrytëzuesit e paligjshëm. “Agjencia Kosovare e Privatizimit ka arritur t’i lirojë të gjitha asetet në pronësi shoqërore te të cilat janë identifikuar shfrytëzuesit e paligjshëm ose uzurpatorët. Agjencia ka ndërmarrë aksione në gjithë territorin e Republikës së Kosovës pa dallim, ndërsa lirimi i këtyre aseteve dhe marrja nën kontroll të AKP-së është bërë me ndihmën edhe të Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Kaloshit. Por ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e shfrytëzimit të tokave bujqësore nga persona të paligjshëm, të cilët nuk kanë arritur t’i identifikojnë ende.
“Mirëpo ka toka bujqësore të cilat shfrytëzohen nga palë të ndryshme, që janë shfrytëzues të paligjshëm e të cilët AKP-ja nuk ka mundur t’i identifikojë. Bëhet fjalë për shfrytëzues sezonalë, pra e shfrytëzojnë pronën bujqësore për aktivitete bujqësore dhe Agjencia e ka pasur të vështirë të bëjë identifikimin e saktë të këtyre shfrytëzuesve. Për këtë arsye edhe në tenderët për privatizim AKP-ja i njofton të gjithë ofertuesit se toka bujqësore e tenderuar shfrytëzohet ose punohet nga persona të panjohur”, sqarohet në mes të tjerash në përgjigje. Në AKP shprehen të bindur se nuk dorëzojnë asnjë aset te blerësit me uzurpatorë brenda. “AKP-ja i garanton të gjithë ofertuesit se pas nënshkrimit të kontratës tokat bujqësore do t’i bartë te blerësit të lira, pa asnjë shfrytëzues të tyre, joligjor ose ligjor. Pra AKP-ja garanton se nuk e dorëzon asnjë aset, tokë a lokal te blerësit me uzurpatorë brenda. Ndërsa ritheksojmë se të gjithë ata shfrytëzues të pronave shoqërore, të cilët Agjencia i identifikon e që nuk e njohin Agjencinë Kosovare të Privatizimit si administrues ligjor të këtyre pronave do të dëbohen me asistencë të Policisë së Republikës së Kosovës”, theksohet më tutje.
Konjufca: Luftimi i dhunës në familje dhe bazë gjinore është...
Sara për Drilonin: Nuk i falet, më thoshte jam prapa teje
Kurti: Puna për një shoqëri gjithëpërfshirëse po vazhdon, ar...
Pasivizimi i adresave në Luginë drejt Gjykatës së Strasburgu...
Gjuajtje me armë zjarri në Prishtinë – arrestohen katë...
Tre persona vdesin në një aksident pasi GPS-i ia huqi rrugës