Moti i ftoftë dhe temperaturat e ulëta nën zero gradë nuk i kanë penguar dhjetëra vullnetarë që t’i bashkohen aksionit të sotëm në Doganaj të Ferizajt, i cili u realizua në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.
Në aksionin e sotëm, vullnetarët arritën të largojnë mbi 200 thasë me mbeturina, ndërsa me makineri u larguan 5 kamionë me mbetje të përziera.
Pastrimi i këtij lokacioni do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, deri në pastrimin e plotë të brezit rrugor.
Besnik Shabiu nga Let’s Do It ka thënë se temperaturat e ulëta nuk po e ndalin vullnetin e qytetarëve për të ndryshuar gjendjen e mjedisit.
“Me të vërtetë temperaturat e ulëta nuk janë t’u e ndalë vullnetin e këtyre qytetarëve për me ndryshu një gjendje që është kriju gjatë viteve të fundit në Kosovë. Ky vullnet dhe kjo dëshirë po kurorëzohet me ndryshimin e pamjes së këtyre pikave të zeza. Po shihet një angazhim i të gjitha niveleve dhe mund të them se jemi gati të luftojmë për Kosovën e pastër. Fushata nuk do të ndalet deri të arrihen rezultate konkrete”, ka thënë Shabiu.
Ndërsa, koordinatori i Task Forcës Teknike nga MMPH, Besmir Kokollari ka thënë se inspektorët duhet të vazhdojnë me shqiptimin e gjobave për ndotësit.
“Ne si Ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kërkojmë nga komuna e Ferizajt të fuqizojë inspektoratin e mjedisit dhe inspektorët të jenë të pakompromis në shqiptimin e gjobave sipas udhëzimit administrativ. Pa dyshim që ne kem pritur një pjesëmarrje edhe nga komuna në mënyrë që të sensibilizohen me gjithë këta të rinjtë që kanë ardhur nga gjitha vendet e Kosovës për të pastruar në këtë fshat. Andaj kërkojmë nga gjithë qytetarët e Kosovës që të kenë vëmendjen dhe ta ruajnë ambientin”, ka thënë Kokollari.
Aksionit të sotëm iu bashkuan edhe zyrtarë komunal si dhe banorë të lagjes.
Po ashtu sot, Organizata “Syri i Vizionit” në Pejë në bashkëpunim me Let’s Do It kanë bërë shpërndarjen e shportave të mbeturinave për 21 familje nga Komunitetet Rom, Egjiptian dhe Ashkali, në lagjen Qungur në fshatin Trepoviq.
Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” ka filluar më 15 shtator, ndërsa do të përfundojë më 15 dhjetor. Deri më tani, në kuadër të Fushatës, janë pastruar rreth 540 deponi, ndërsa deri në fund synohet pastrimi i 800 të tillave.
Lëkundje të forta tërmeti në Turqi
Haradinaj thërret konferencë për media nesër, s’dihet arsyej...
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...
Konjufca mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit ...
Memli Krasniqi merr një fanellë dhuratë nga Granit Xhaka
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...