Nën organizimin e Ministrisë së Ekonomisë, sot u lansuan thirrjet për mbështetjen e konsumatorëve familjarë dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në investimin e sistemeve të energjisë së ripërtëritshme.
Në këtë ngjarje së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishin prezent dhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Në fjalën hyrëse të tij, kryeministri Kurti tha se “Ky sukses në këtë hap të procesit sigurisht që nuk vjen rastësisht. Ai është rezultat i përpjekjeve tona për ta rritur transparencën e për ta përmirësuar mjedisin e të bërit biznes dhe të investuarit në ekonominë e vendit tonë”.
Me anë të kësaj skeme, familjet do të mund të aplikojnë për mbështetje për sisteme diellore me kapacitet prej 3 deri në 7 kilovatë, për çka do të subvencionohen 250 euro për kilovat, deri në 1750 euro në total, dhe me këtë rast familjet e bizneset e kanë më të lehtë për të bërë zgjidhje të qëndrueshme dhe më të përballueshme për ta.
“Për instalimin e sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar, që nga mesi i këtij muaji, bizneset do të mund të subvencionohen 40% të vlerës, deri në 4000 euro. Për familjet kjo masë është zbatuar në fund të vitit të kaluar. Për të dy këto masa bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave mbi 51% do të subvencionohen me 200 euro shtesë”, u shpreh kryeministri.
Duke theksuar se lansimi i sotëm është në përputhje të plotë me qëllimet tona të përbashkëta dhe afatgjate për sektorin e energjisë, ai përfundoi se “Kosova qëndron krahas shteteve partnere evropiane në përpilimin dhe zbatimin e strategjive dhe në zhvillimin e miratimin e politikave të cilat në thelb e synojnë një sektor të energjisë që është edhe i qëndrueshëm, edhe i diversifikuar, edhe i pastër, e që gjithnjë e ka në qendër qytetarin e Republikës”.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, veçoi se përfitimet që kanë qytetarët, bizneset e vendi ynë nga investime të tilla janë të shumëfishta, duke filluar nga efiçienca e energjisë, ulja e ndotjes, ulja e faturave të energjisë dhe që qytetarët të jenë pjesëmarrës aktiv, në qendër të zhvillimeve dhe të përfitimit të ndryshimeve që vijnë me tranzicionin energjetik.
“Kjo që po bëjmë sot është pikërisht një hap, një materializim i atij objektivi të cilën e kemi në strategjinë e energjisë që e ka miratuar Kuvendi i Kosovës më 9 mars të vitit të kaluar, mirëpo për të cilën kemi qenë duke punuar që nga dita e parë në qeveri”, u shpreh ministrja Rizvanolli.
Pas lansimit të masave, të pranishmit do të kenë mundësinë që të vizitojnë hapësirat ku do të promovohen kompanitë vendore të sistemeve diellore dhe me këtë rast vizitat janë të hapura për të gjithë qytetarët që janë të interesuar për t’i parë nga afër këto kompani vendore.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Para tre ditësh, pra me 3 shkurt, zyrtarisht e mbyllëm afatin për ofertime për ankandin tonë të parë diellor 100 megavatësh. Pranuam gjashtë oferta nga kompani me përvojë dhe me famë nga Turqia, Franca, Gjermania, Egjipti dhe nga konzorciumi i një kompanie të diasporës tonë nga Zvicra me kompani nga Kosova.
Ky sukses në këtë hap të procesit sigurisht që nuk vjen rastësisht. Ai është rezultat i përpjekjeve tona për ta rritur transparencën e për ta përmirësuar mjedisin e të bërit biznes dhe të investuarit në ekonominë e vendit tonë.
E përderisa po punojmë në realizimin e projekteve e kapaciteteve të mëdha, po shtyjmë përpara edhe arsyet e mundësitë që qytetarët tanë të zhvillojnë kapacitete të vogla të energjisë për konsum e vetëkonsum.
Sot po lansojmë masat më të reja të subvencionit në sektorin e energjisë për bizneset e familjet, të cilët dëshirojnë të bëhen vetëkonsumatorë e të prodhojnë një pjesë të energjisë që ata e përdorin, nëpërmjet energjisë së pastër të diellit.
Në këtë mënyrë, ne jo vetëm që ulim barrën për sistemin tonë, por edhe i fuqizojmë familjet e bizneset për të bërë zgjidhje të qëndrueshme dhe të përballueshme.
Siç e dini, kjo nuk është masa e parë, por është vetëm njëra ndër një morie sosh të cilat i kemi lansuar gjatë këtyre gati tre vjet qeverisje, që për qëllim kanë pasur uljen e konsumit, dhe rritjen e efiçiencës së energjisë, e që është mirë si për amvisëritë ashtu edhe për sistemin tonë energjetik. Deri më tani, në këto skema kanë aplikuar dhe po subvencionohen mbi 20 mijë qytetarë e biznese mikro, të vogla e të mesme.
Me skemën të cilën po e lansojmë sot së bashku, familjet do të mund të aplikojnë për mbështetje për sisteme diellore me kapacitet prej 3 deri në 7 kilovatë, për çka do të subvencionohen 250 euro për kilovat, deri në 1750 euro në total.
Edhe për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, vlera e subvencionimit do të jetë 250 euro për kilovat në kapacitet prej 3 deri në 9 kilovat, mirëpo maksimalisht deri në 2000 euro.
Ndërkaq, për kapacitetin 10 kilovatë e më shumë, bizneset do të subvencionohen me 200 euro për kilovat, deri në 600 euro në total.
Për instalimin e sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar, që nga mesi i këtij muaji, bizneset do të mund të subvencionohen 40% të vlerës, deri në 4000 euro. Për familjet kjo masë është zbatuar në fund të vitit të kaluar. Për të dy këto masa bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave mbi 51% do të subvencionohen me 200 euro shtesë.
Edhe kjo nuk është rastësi. Bizneset e udhëhequra nga gratë shpesh kanë performancë financiare të suksesshme e inovacion të lartë në bërjen e biznesit. Me krijimin e incentivave dhe subvencioneve të tilla të shënjestruara, ne jo vetëm që adresojmë pabarazinë gjinore në Kosovë, mirëpo gjithashtu stimulojmë rritjen ekonomike e zhvillimin e potencialit të pashfrytëzuar në sektorë të ndryshëm.
Masat që po i lansojmë sot e ato që i kemi zbatuar deri më tash nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave, Punës dhe Tranfereve, poashtu dhe Fondit Kosovar për Efiçiencë të Energjisë janë të përkrahura nga Bashkimi Evropian dhe janë në përputhje të plotë me qëllimet tona të përbashkëta, afatgjate, për sektorin e energjisë.
Kosova qëndron krahas shteteve partnere evropiane në përpilimin dhe zbatimin e strategjive dhe në zhvillimin e miratimin e politikave të cilat në thelb e synojnë një sektor të energjisë që është edhe i qëndrueshëm, edhe i diversifikuar, edhe i pastër, e që gjithnjë e ka në qendër qytetarin e Republikës.
Në muajin shkurt të 2024-tës duket që dielli po rrezaton më ngrohtë. E tash përveçse do ta shfrytëzojmë ndriçimin e tij dhe ëmbëlsinë e atmosferës sonë, le ta kthejmë atë energji në energji të pastër për shtëpitë tona, për bizneset tona.
Ju faleminderit, urime ministre Rizvanolli dhe ministre Hajdari. /Arbresh.info/
Ushtria amerikane godet objektivat e Houthit në Jemen
Presidenti i Federatës Franceze komenton mungesën e Mbappes:...
Izraeli lëshon një paralajmërim të ri evakuimi për Bejrutin ...
Ganimete Musliu: Më 9 shkurt Qeveria Kurti do të shkojë në s...
Plan-atentati ndaj presidentit të Malit të Zi ndoshta dezinf...
Epoka digjitale sjell reduktimin e përdorimit të stilolapsev...