Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në lansimin e Projektit të Forcimit të Qeverisjes Digjitale për Ofrimin e Shërbimeve, të organizuar në partneritet me Bankën Botërore. Sipas kryeministrit Kurti, kjo ngjarje shënon fillimin e një kapitulli të rëndësishëm në rrugëtimin e transformimit digjital të vendit tonë, që ka për synim modernizimin e qeverisjes dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike përmes inovacionit digjital.
“Projekti i Forcimit të Qeverisjes Digjitale për Ofrim të Shërbimeve, të cilin po e emërtojmë sot shkurt si Kosova Digjitale, është një nismë ambicioze që mishëron përkushtimin tonë për të modernizuar ofrimin e shërbimeve publike dhe për të ndërtuar një qeveri të fuqizuar digjitale për qytetarët tanë”, u shpreh ai.
Si një vizion dhe zotim i përbashkët, Kosova Digjitale është bashkëdizajnuar dhe mbështetur financiarisht nga Bankat Botërore, me buxhet prej 18.5 milionë eurosh, derisa Qeveria e Japonisë përmes dy granteve me vlerë prej 800 mijë dollarësh, ka mbështetur nisjen e shumë aktiviteteve fillestare dhe përgatitore që janë një ndihmesë e madhe për zbatimin e reformave të parapara në kuadër të Projektit Kosova Digjitale.
“Përmes grantit të Qeverisë së Japonisë, tashmë po e finalizojmë dizajnimin e qendrës së parë të integruar të shërbimeve, e cila të funksionojë si një one-stop-shop fizik, ku qytetarët do të mund të marrin shërbime qeveritare në një lokacion të vetëm, me ndihmën e zyrtarëve publikë. Projekti Kosova Digjitale do të mundësojë realizimin e kësaj iniciative”, shtoi tutje kryeministri Kurti.
Po ashtu, projekti “Kosova Digjitale” do të kontribuojë edhe në avancimin e mëtejshëm të dritarës E-Kosova, e cila ka mbi 986,000 përdorues të regjistruar dhe me gati 200 shërbime online elektronike të lansuara, duke e vendosur qytetarin në qendër dhe duke organizuar shërbimet rreth ngjarjeve jetësore të tij. Në këtë kontekst, kryeministri veçoi ngjarjen jetësore të lindjes së fëmijëve, dhe sipas tij ,projekti i ri do të mundësojë që kjo qasje të zgjerohet edhe në ngjarje të tjera jetësore të secilit individ qytetar të Republikës sonë.
“Në planin e rritjes dakorduar me Bashkimin Evropian, ne jemi zotuar se do të digjitalizojmë 50% të shërbimeve publike deri në vitin 2027, përderisa synimi ynë është që deri në vitin 2030 të digjitalizojmë 100% të shërbimeve kyçe publike, që është synim i vendeve të Bashkimit Evropian, i përcaktuar në programin e dekadës digjitale 2030 të Bashkimit Evropian”.
Kryeministri Kurti përfundoi fjalën e tij duke thënë se dita e sotme, 12 dhjetori i vitit 2024, është Ditëlindja e Kosovës Digjitale, derisa kujtoi se Kosova për transferimin digjital nga indeksi GTMI i Bankës Botërore, ka avancuar nga Grupit C i vendeve me fokus të kufizuar, në Grupin B të vendeve me fokus të konsiderueshëm në qeverisje digjitale.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Sot ne po e shënojmë fillimin e një kapitulli të rëndësishëm në rrugëtimin e transformimit digjital të vendit tonë. Projekti i Forcimit të Qeverisjes Digjitale për Ofrim të Shërbimeve, të cilin po e emërtojmë sot shkurt si Kosova Digjitale, është një nismë ambicioze që mishëron përkushtimin tonë për të modernizuar ofrimin e shërbimeve publike dhe për të ndërtuar një qeveri të fuqizuar digjitale për qytetarët tanë.
Kosova Digjitale është më shumë sesa një projekt; është vizion, synim dhe zotim i yni bashkërisht. E bashkëdizajnuar dhe mbështetur financiarisht nga Bankat Botërore, kjo nismë me buxhet prej 18.5 milionë eurosh, synon jo vetëm t’i japë shtypje avancimit të qeverisjes digjitale, por gjithashtu edhe të ridefinojë qasjen e administratës publike ndaj ofrimit të shërbimeve. Ajo ndërlidhet drejtpërdrejt me strategjinë tonë të e-Qeverisjes 2023-2027, duke ofruar më shumë se 50% të buxhetit dhe duke mundësuar zbatimin e një të tretës të aktiviteteve të planit trevjeçar të veprimit të kësaj strategjie.
Në thelbin e projektit Kosova digjitale qëndron një parim i thjeshtë fundamental: administrata publike ekziston për t’iu shërbyer qytetarëve. Strategjia jonë synon që, përmes digjitalizimit të ndërtojë një administratë publike e cila është transparente dhe llogaridhënëse në punën e saj efikase dhe gjithëpërfshirëse në ofrimin e shërbimeve, si dhe katalizator për rritje të qëndrueshme ekonomike. Ky transformim nuk ka të bëjë vetëm në aplikimin e sistemeve dhe mjeteve teknologjike, porse lidhet edhe me afrimin e shtetit te qytetari, me dëgjimin dhe kuptimin më të mirë të nevojave dhe pritshmërive të tij, si dhe krijimin e një mendësie të re e kulture pune të avancuar në administratën publike.
Me mbi 986,000 përdorues të regjistruar dhe me gati 200 shërbime online elektronike të lansuara, E-Kosova tashmë është një shtyllë e mirëtabluar e e-Qeverisjes sonë. Numri i transaksioneve të shërbimeve në E-Kosova është dyfishuar brenda një viti, nga 1,92 milionë shërbime në vitin 2022 në 3.84 milionë shërbime në vitin 2023. Projekti “Kosova Digjitale” do të kontribuojë në avancimin e mëtejshëm të funksionalitetit, performancës dhe sigurisë së kësaj dritareje qendrore të shërbimeve për qytetarët dhe për bizneset tona.
Suksesi i digjitalizimit nuk matet natyrisht vetëm me numrin e shërbimeve digjitale, por edhe me thjeshtësinë, qasshmërinë dhe përdorimin aktiv të tyre. Kjo kërkon ridizajnim të proceseve, duke e vendosur qytetarin në qendër dhe duke organizuar shërbimet rreth ngjarjeve jetësore të tij. Ne tashmë jemi duke zbatuar këtë qasje në ngjarjen jetësore të lindjes së fëmijëve dhe projekti i ri do të mundësojë që kjo qasje të zgjerohet edhe në ngjarje të tjera jetësore të secilit individ qytetar të Republikës sonë.
Gjithëpërfshirja është njëri ndër parimet më të rëndësishme të qeverisjes sonë, prandaj edhe rrugëtimin tonë drejt digjitalizimit është thelbësore që ta udhëheqim me këtë parim, duke siguruar që askush të mos mbetet mbrapa. Duhet të përkujdesemi që edhe ata qytetarë, që nuk kanë qasje të drejtpërdrejtë në pajisje digjitale, të përfitojnë nga përparësitë e digjitalizimit. Përmes grantit të Qeverisë së Japonisë, tashmë po e finalizojmë dizajnimin e qendrës së parë të integruar të shërbimeve, e cila të funksionojë si një one-stop-shop fizik, ku qytetarët do të mund të marrin shërbime qeveritare në një lokacion të vetëm, me ndihmën e zyrtarëve publikë. Projekti Kosova Digjitale do të mundësojë realizimin e kësaj iniciative.
Progresi i Kosovës në transferimin digjital është i njohur edhe nga indeksi GTMI i Bankës Botërore, kur keni avancuar nga Grupit C i vendeve me fokus të kufizuar, në Grupin B të vendeve me fokus të konsiderueshëm në qeverisje digjitale. Megjithatë edhe shumë punë na mbetet për t’u bërë. Në planin e rritjes dakorduar me Bashkimin Evropian, ne jemi zotuar se do të digjitalizojmë 50% të shërbimeve publike deri në vitin 2027, përderisa synimi ynë është që deri në vitin 2030 të digjitalizojmë 100% të shërbimeve kyçe publike, që është synim i vendeve të Bashkimit Evropian, i përcaktuar në programin e dekadës digjitale 2030 të Bashkimit Evropian.
Projekti Kosova Digjitale do të ketë rol vendimtar në arritjen e këtyre objektivave. Njëkohësisht, ne jemi shumë të lumtur që rrugëtimi ynë digjital tashmë është duke u mbështetur edhe nga projektet tjera të rëndësishme me partnerë zhvillimorë si USAID, GIZ-i, Bashkimi Evropian e UNDP-ja, të cilat e komplementojnë Projektin e Kosovës Digjitale. Së bashku, të gjitha këto iniciativa do të mundësojnë që vendi ynë të lëvizë me hapa të shpejtë dhe të sigurt drejt digjitalizimit.
Procesi deri te ratifikimi dhe funksionalizimi i këtij projekti ka qenë i gjatë dhe ne jemi thellësisht mirënjohës Qeverisë së Japonisë, e cila përmes dy granteve me vlerë totale prej 800 mijë dollarësh ka mbështetur nisjen e shumë aktiviteteve fillestare dhe përgatitore që janë një ndihmesë e madhe për zbatimin e reformave të parapara në kuadër të Projektit Kosova Digjitale.
Në përfundim dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për ekipin e Bankës Botërore, për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre të palëkundur, të cilët së bashku me ekipin tonë të njësisë për transformim digjital e kanë bërë këtë projekt realitet.
Kosova Digjitale nuk është thjesht një iniciativë qeveritare dhe nuk mund të realizohet vetëm nga Qeveria.
Rrugëtimi i transformimit digjital që po ndjekim, kërkon bashkëpunim dhe partneritet me sektorin privat, akademinë, shoqërinë civile, si dhe me angazhimin e përfshirjen aktive të qytetarëve.
Prandaj, teksa inaugurojmë zyrtarisht fillimin e këtij projekti, ju ftoj të punojmë së bashku për Kosovën Digjitale, e cila do të kontribuojë që vendi ynë të jetë më i zhvilluar, më i begatë dhe më i fortë.
12 dhjetori i vitit 2024 është Ditëlindja e Kosovës Digjitale.
Ju faleminderit!/Arbresh.info
KD: Procesi për përzgjedhjen e kryeprokurorëve – kryesisht m...
Rama me magjinë e rrugës për në Kolonjë, uron një ditë të mb...
Guterres: Bombardimet e Izraelit në Jemen janë jashtëzakonis...
Hasani e thotë me bindje: Shqipëria do jetë anëtare e BE-së ...
Real Madridi ndryshon emrin e stadiumit Santiago Bernabeu pë...
BE kërcënon Rusinë me sanksione