Google ADS

Lansohet projekti GENESIS, mbështetur nga Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës

20:18 | 25 Tetor 2024
Q L

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe bashkë me Ambasadorin e Francës në Kosovës, Olivier Guérot, mori pjesë në ceremoninë e lansimit të projektit GENESIS, bashkëpunim ndërmjet Festivalit Anibar dhe Institutit Francez në Kosovë në mbështetje nga Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës.

Duke e cilësuar këtë si një nismë, e cila i ndihmon të rinjtë e Kosovës të zhvillojnë aftësitë e tyre në industrinë kreative, kryeministri tha se ajo gjithashtu forcon bashkëpunimin tonë me Francën, një shtet partner e mik, veçanërisht me Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme si dhe me Institutin Francez në Kosovë.

Në fjalën e tij, kryeministri tha se Qeveria e Republikës së Kosovës qëndron e përkushtuar për ngritjen e kapaciteteve dhe mbështetjen e artit të pavarur në vendin tonë, duke përmendur këtu masat konkrete, si miratimi i Ligjit të ri për Kulturën dhe rritjen e buxhetit për skenën e pavarur nga një milion euro sa ishte në vitin e 2019, në nëntë milionë euro tash kur po flasim.

Projekti GENESIS, me fokusin e tij në edukimin dhe fuqizimin e të rinjve, është një dëshmi e qartë se kultura jonë po shkon edhe drejt pavarësisë edhe drejt inovacionit. Ky projekt përforcon edhe më tej lidhjen me skenën e pavarur dhe partnerët ndërkombëtarë, si Franca, duke krijuar ura të reja ndërveprimi dhe duke sjellë edhe përvoja të vlefshme për rininë tonë.

Në fund të fjalës, kryeministri u zotua se Qeveria do të vazhdojë punën për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori, si një pjesë e rëndësishme e rritjes kulturore dhe ekonomike të vendit tonë, derisa theksoi faktin se gjashtë ministri janë bashkuar për të hartuar strategjinë e Ekonomisë Kreative, përmes së cilës do të shtohet potenciali kreativ i individëve dhe i industrive kulturore, duke dizajnuar veprime, të cilat e transformojnë vendin tonë./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme