Është lansuar sot Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm në Energji Elektrike, program ky i cili fokus të veçantë do të ketë grupe të caktuara të shoqërisë, si personat me aftësi të kufizuara, prindërit vetushqyes dhe pensionistët që jetojnë vetëm.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti në fjalën e tij, e teksa foli për krizën e fundit energjetike e cila kaploi tërë Evropën, por edhe efektet e shumta të ndryshimeve klimatike të cilat po i përjetojmë të gjithë ne e për çdo ditë, kryeministrit vëri në theks rëndësinë e veçantë që kanë politikat në fushën e energjisë në secilin vend.
Reformën në fushën e energjisë, kryeministri tha se e filluan me draftimin e Strategjisë së Energjisë 2022-2031, strategji kjo që ka në fokus ngritjen e kapaciteteve për prodhimin e energjisë me burime të ripërtritshme, rritjen e efiçiencës së energjisë, dhe mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm.
Derisa përmendi një varg masash që janë ndërmarrë në fushën e energjisë në mbështetje të qytetarëve e që kapin vlerën prej 150 milionë euro, ai po ashtu tha se gjatë këtyre diç më shumë se vite qeverisje janë vënë themelet për investime afatgjate në fushën e energjisë, të cilat kapin vlerën totale prej rreth 700 milionë euro.
Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri ritheksoi edhe njëherë zotimin se si në çdo rrugëtim tonin, e në secilën reformë, asnjëherë nuk harrojmë se jemi Qeveri e qytetarëve dhe gjithmonë do të përkujdesemi për mirëqenien e tyre.
Ndërkaq, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se ky program parasheh, që të gjitha familjet, të cilat mesatarisht kanë më pak se 150 euro të ardhura mujore për anëtar të familjes, pra nëse një familje ka katër anëtarë, parashihet se nëse i ka më pak se 600 euro të ardhura mujore mesatare, mund të kualifikohet për programin.
“Programi që po e prezantojmë sot bazohet në pragun e të hyrave të familjes prej 150 euro për anëtar. Pragu prej 150 euro është në përputhje me Linjën Ndërkombëtare të Varfërisë për vendet me të ardhura mesatare të larta (ku listohet edhe Kosova) e përllogaritur në 5.5 dollarë (5 euro) në ditë që është ekuivalente me 150 euro në muaj për person, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore”, u shpreh Kurti, përcjell Arbresh.info
Ai shtoi se synimi kryesor i Programit është të ofrojë mbështetje direkte financiare për konsumatorët e cenueshëm në energji elektrike, ashtu që të kenë qasje të barabartë në energji të përballueshme elektrike, duke iu subvencionuar faturat e energjisë elektrike.
Programi është plan 1-vjeçar dhe do të përdoret si pilot-program për të mbledhur të dhëna dhe për të marrë mësime, të cilat do të përdoren pastaj për draftimin e Programit afatgjatë.
Kjo masë është në kuadër të pakos mbështetëse 75 milionë eurosh të Bashkimit Evropian për përballje me krizën energjetike.
Fjala e plotë e kryeministrit:
Kriza e fundit energjetike e cila kaploi tërë Evropën, por edhe efektet e shumta të ndryshimeve klimatike të cilat po i përjetojmë të gjithë ne e për çdo ditë, kanë vënë në pah rëndësinë e veçantë që kanë politikat në fushën e energjisë në secilin vend.
Si Qeveri që nga fillimi i mandatit kemi shfaqur përkushtimin tonë për tranzicionin e drejtë energjetik, përmes rritjes së efiçiencës së energjisë dhe investimit në burime të ripërtrishme për prodhimin e energjisë.
Reformën në fushën e energjisë e filluam me draftimin e Strategjisë së Energjisë 2022-2031, strategji kjo që ka në fokus ngritjen e kapaciteteve për prodhimin e energjisë me burime të ripërtrishme, rritjen e efiçiencës së energjisë, dhe mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm.
Ndërmorëm një varg masash si subvencionimi i pajisjeve efiçiente të energjisë për rreth 10 mijë qytetarë, subvencionimi për kursim të energjisë elektrike për mbi 200 mijë familje, e për të parandaluar rritjen e çmimit të energjisë elektrike përgjatë kohës së krizës energjetike, subvencionuam tarifat e energjisë për të gjithë konsumatorët.
E krahas këtyre masave të deritanishme që kapin vlerën totale prej rreth 150 milionë euro, kemi vënë themelet për investime afatgjate në fushën e energjisë që kapin vlerën totale prej rreth 700 milionë euro:
-e nënshkruam marrëveshje me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit për bateri dhe rezerva akumuluese;
-e nënshkruam marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar për rritjen e kapaciteteve të gjenerimit të energjisë me burime të ripërtritshme;
-nënshkruam marrëveshje me Bankën Zhvillimore të Gjermanisë dhe Bashkimin Evropian për rritjen e kapaciteteve për ngrohje diellore për t’u përdorur si ngrohje qendrore;
-finalizuam marrëveshjen me Komisionin Evropian për vendosjen e filterëve në KEK;
– organizuam ankandin e parë për ngritjen e kapaciteteve me energji të ripërtritshme, në të cilin deri më tani kemi pranuar mbi 160 shprehje të interesit nga kompani lidere prej katër kontinenteve;
-finalizuam marrëveshjen me Bankën Zhvillimore të Gjermanisë për instalimin e 100 MË kapacitete me energji solare;
-dhe jemi afër finalizimit të marrëveshjes me Bankën Botërore për reformat në fushën e energjisë dhe ndryshimeve klimatike.
Për më tepër, pakon mbështetëse të BE-së prej 75 milionë euro, po ashtu e orientuam kah qytetarët tanë.
Rihapëm shpalljen për subvencionimin e pajisjeve efiçiente të energjisë; hapëm thirrjen për mbështetjen e qytetarëve që t’i izolojnë shtëpitë e tyre; si dhe bëmë thirrjen për izolimin e banesave sociale në bashkëpunim me komunat, e ndërkaq sot jemi mbledhur këtu që të prezantojmë edhe një program të rëndësishëm, atë të mbrojtjes se konsumatorëve të cenueshëm.
Programi që po e prezantojmë sot, që do të zbatohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka në fokus subvencionimin e faturës së energjisë elektrike për familjet të cilat kualifikohen si konsumatorë të cenueshëm të energjisë elektrike. Fokus të veçantë në këtë program do të kenë grupe të caktuara të shoqërisë si personat me aftësi të kufizuara, prindërit vetushqyes dhe pensionistët që jetojnë vetëm.
Programi për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm është program 1-vjecar i cili fokusohet në subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm, të hyrat mesatare mujore të të cilëve janë nën 150 euro për anëtarë të familjes. Një subvencionim i tillë do të ulë direkt barrën financiare që kanë këto familje nga konsumi i energjisë elektrike dhe do të sigurojë njëkohësisht që këto familje do të kenë furnizim të përballueshëm me energji elektrike, sidomos gjatë periudhës së dimrit kur furnizimi me energji elektrike është shumë i rëndësishëm.
Si në çdo rrugëtim tonë, e në secilën reformë, asnjëherë nuk harrojmë se jemi Qeveri e qytetarëve dhe gjithmonë do të përkujdesemi për mirëqenien e tyre.
Ju faleminderit.
lexo edhe:
Dita e ndeshjes, Kosova luan vetëm për fitore në udhëtim te ...
Rusia kryen sulm masiv në Odesa, teksa mijëra ukrainas mbesi...
Shpërthim me lëndë plasëse në Tropojë
Magjia e Vermoshit nën vellon e dëborës, Rama fton qytetarët...
Arbana Osmani vendos një rekord të ri në karrierën e saj
Lideri koreanoverior urdhëron “prodhim masiv” të dronëve sul...