Google ADS

Lansohet programi i skriningut të kancerit të qafës së mitrës në Mitrovicë

14:07 | 20 Shtator 2019
Arbresh.info

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjarë në Mitrovicë, sot është nënshkruar memorandumi për lansimin zyrtarë të programit të Skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës, program ky që po bëhet i mundur si rrjedhojë e suksesit të programit edhe në disa komuna tjera të Kosovës.

Në ceremoninë e lansimit të këtij program e pranishme ishte drejtoresha e Shëndetësisë në Mitrovicë, Erseka Hasanaj Barani, drejtori i spitalit “Sami HaxhiBeqiri”, Enis Istrefi, drejtori i QKMF-së, Fevzi Sylejmani, përfaqësues nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë si dhe përfaqësues nga UNFPA.

Ngjarja sot u realizua me qëllim të prezantimit të programit mbi skriningun e kancerit të qafës së mitrës në Mitrovicë, që është pjesë e Programit Nacional për Kontrollin e Kancerit në Kosovë.

Ky program do të mundësojë ofrimin e Pap testit për rreth 250 gra pa pagesë nga Komuna e Mitrovicës, gjatë fazës së parë të implementimit, gjegjësisht për vitin 2019. Po ashtu, do të ndërtohen kapacitetet për skrining brenda Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSH) në Mitrovicë, si dhe do të ndërtohet algoritmi procedural që rregullon sistemin e bashkëpunimit në mes të KPSH dhe Kujdesit Dytësor Shëndetësor – Laboratorit të Patologjisë.

Po ashtu përmes Pap testeve për gratë dhe vajzat nga Komuna e Mitrovicës do të mundësoj zbulimin e hershëm të qelizave jonormale të qafës së mitrës dhe trajtimin e tyre me sukses për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës.

Në fjalën e saj drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasani Barani, u shpreh shumë e kënaqur që sot po lansohet ky projekt në Mitrovicë i cili i dedikohet shëndetit të femrës duke ofruar mbështetjen e plotë në implementimin e projektit.

“Jam tejet e lumtur që sot ka filluar të ndërtohet një sistemi cilësor i skriningut të kancerit të qafës së mitrës edhe në komunën tonë. Ne si institucione jemi të përkushtuar ndaj ofrimit të ndihmës sonë për shpëtimin e jetëve të nënave, vetëdijesimin e gruas për ketë sëmundje si dhe diagnostofikimin sa më të hershëm. Së bashku do vazhdojmë të punojmë në implementimin e suksesshëm të këtij programi si dhe ngritjen e kualitetit të shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët tanë”, shtoj drejtoresha Barani.

Ndërsa, Zarife Miftari, përfaqësuese e UNFPA-së në Kosovë tregoi mbi punën e suksesshme të këtij programi në Prishtinë e Prizren duke shtuar se tani mundësia e Pap-testeve pa pagese do t’iu mundësohet edhe grave dhe vajzave të Komunës së Mitrovicës. Ajo gjithashtu ka falënderuar edhe Bordin Nacional për Kontrollin e Kancerit në Ministrinë e Shëndetësisë për përkrahjen e vazhdueshme në zgjerimin e programit të skriningut.

Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit në mes të Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Mitrovicës, Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit – Ministria e Shëndetësisë, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë dhe si mbështetet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara UNFPA, zyra në Kosovë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme