Lansohet programi i parë kombëtar për trajtimin e kryerësve të dhunës ndaj grave

19:56 | 29 Nëntor 2023
E.H

Në kuadër të aktiviteteve të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, kryeministri Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, morën pjesë në lansimin e Programit të parë Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave.

Në përpjekje për të trajtuar pasojat e dhunës dhe për të parandaluar përsëritjen e saj, Kurti u shpreh se lansimi i këtij programi ofron qasje të gjithanshme dhe nuk do të zbehë rëndësinë e dënimeve për autorët e dhunës, por do të ofrojë një rrugë për ndryshim dhe rikthim në shoqëri me vlera të përbashkëta, përcjell Arbresh.info

“Krahas rehabilitimit psiko-social për ata që kanë kryer dhunë ndaj grave dhe vajzave, synimi përfundimtar është krijimi i një mjedisi të sigurt për të mbijetuarat, ofrimi i mbështetjes dhe sigurisë se nevojshme për të ecur përpara”, tha ai duke theksuar fuqishëm bindjen se çdo vajzë e grua ka të drejtë të jetojë pa dhunë.

Angazhimi institucional për këtë fenomen sipas kryeministri Kurti, dëshmohet me definimin e dhunës ndaj grave si vepër penale në Kodin Penal, me rregullimin e bazës ligjore për dënime plotësuese për personat që shpallen fajtorë për dhunë në familje dhe dhunim seksual, e me prioritizim të hetimeve dhe gjykimeve për këto raste.

Njëkohësisht, kryeministri tha se kemi rritur financimin e shërbimeve të strehimoreve për mbi 100% për vitin 2023, derisa përmes miratimit të projektligjit për shërbime sociale dhe familjare, filluam reformën për Qendrat për Punë Sociale. Për këto raste pavarësisht gjendjes socio-ekonomike ofrohet ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe me bazë gjinore.

“Për t’ua lehtësuar financiarisht përballjen me pasojat e dhunës, Qeveria ka miratuar Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Në finalizim është edhe masa për punësim të të mbijetuarat e dhunës në familje. Bashkëpunimin institucional e shoqëror tashmë e lehtëson Udhëzuesi për funksionalizimin e mekanizmave lokal kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, si dhe miratimi i Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave (2022-2026)”, thuhet në njoftim.

“Eliminimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave është fushë e cila zë vend e ulëse në mbledhje qeveritare. Ndër të tjerash, është emëruar Ministrja e Drejtësisë koordinatore nacionale kundër dhunës në familje, ashtu siç e kërkon edhe ligji kundër dhunës. Dhuna don edhe trajtim e përkushtim politik, me këtë rasti ai konfirmoi angazhimin e tij të pakushtëzuar në këtë fushë.”

“”Sot dhe çdo ditë tjetër!” është slogani i fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, i cili përputhet me përkushtimin institucional e shoqëror për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave”, thuhet tutje në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme