Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në lansimin e Modulit të Certifikimit të Provimit të Jurisprudencës.
Në fjalën e tij hapëse, ai tha se sot, më shumë se kurrë, digjitalizimi po transformon jetën tonë dhe mënyrën se si ne ndërveprojmë me shërbimet publike. Prandaj, digjitalizimi i shërbimeve qeveritare është një domosdoshmëri për çdo vend tjetër që synon të ecë përpara në rrugën e zhvillimit dhe modernizimit.
Kryeministri Kurti vlerësoi si hap tejet të rëndësishëm lansimin e Modulit të Certifikimit të Provimit të Jurisprudencës, si pjesë e digjitalizimit të Sistemit të Licencimit për Profesionet e Lira, e që kontribuon në efikasitetin, transparencën, suksesin dhe meritokracinë.
“Forcimi i profesioneve të lira përmes fuqizimit të qasjes në drejtësi, si pjesë e programit tonë qeveritar dhe një nga objektivat strategjike, është gjithsesi prioritet i yni. Mirëpo, përveç kësaj, po ashtu është edhe pjesë e misionit tonë të përbashkët për sundim të ligjit dhe funksionim të shtetit të së drejtës”, u shpreh ai.
Duke e falënderuar Ministrinë e Drejtësisë për përkushtim dhe punën e palodhshme në drejtim të rritjes së efikasitetit të procedurave, si dhe GIZ-in gjerman për mbështetjen, në vazhdën e bashkëpunimit të ngushtë të Republikës sonë me popullin mik gjerman dhe Bashkimin Evropian në përgjithësi, kryeministri theksoi se digjitalizimi i shërbimeve ndaj atij të plotë të provimit të jurisprudencës, do të ndikojë edhe në meritokraci, duke sjellë kështu kuadro të reja, të përgatitura, të afta e që mund të japin kontribut të jashtëzakonshëm ndaj Republikës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se si ministre e Drejtësisë, ndjen përgjegjësi për t’u siguruar se sistemi ynë ligjor dhe administrativ, të jetë në përputhje me kërkesat bashkëkohore. Ajo e vlerësoi si një hap të rëndësishëm lansimin e Modulit Certifikimit të provimit të Jurisprudencës dhe Digjitalizimin e Sistemit të Licencimit për Profesionet e Lira, duke thënë se kjo është një mundësi shtesë për të përmirësuar edhe më tej mënyrën se si i menaxhojmë dhe rregullojmë këto profesione.
Nga një fjalë rasti, patën edhe Albert Zogaj, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Johaness Madsen, përfaqësues i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe Daniel Alker, udhëheqës i Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë.
Sot, më shumë se kurrë, digjitalizimi po transformon jetën tonë dhe mënyrën se si ne ndërveprojmë me shërbimet publike. Kjo epokë e re teknologjike ka sjellë me vete përparësi të shumta, të cilat mund ta ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si qeveritë i shërbejnë qytetarëve të vet. Për këtë arsye, digjitalizimi i shërbimeve qeveritare është një domosdoshmëri për çdo vend që synon të ecë përpara në rrugën e zhvillimit dhe të modernizimit.
Kam kënaqësinë që sot lansojmë Modulin e Certifikimit të Provimit të Jurisprudencës, si pjesë e digjitalizimit të Sistemit të Licencimit për Profesionet e Lira dhe si hap tejet të rëndësishëm drejt efikasitet, transparencës, suksesit dhe meritokracisë.
Forcimi i profesioneve të lira përmes fuqizimit të qasjes në drejtësi si pjesë e programit tonë qeveritar dhe një nga objektivat strategjike, është gjithsesi prioritet i yni. Mirëpo, përveç kësaj, po ashtu është edhe pjesë e misionit tonë të përbashkët për sundim të ligjit dhe funksionim të shtetit të së drejtës. Andaj, krahas reformave që tashmë po ndërmarrim në sistemin gjyqësor dhe në atë prokurorial, doemos këto reforma përfshijnë edhe profesionet e lira, sidomos në kuptimin e digjitalizimit të veprimeve të shërbimeve.
Lansimi i Modulit të Certifikimit të Provimit të Jurisprudencës është lansimi i formës së digjitalizuar të këtij shërbimi, i cili deri më tash është kryer në formë fizike. Ky modul, i cili përfshinë edhe veprimet paraprake procedurale që nga forma e aplikimit për dhënien e provimit dhe kryerja e pagesës, qytetarëve, respektivisht juristëve, iu shërben dhe mundëson qasje më të lehtë, më të thjeshtë dhe më të shpejtë për aplikim, dhënie të provimit dhe pajisje me certifikatë.
Dhe, përveç modulit që lansohet, pra për provimin e jurisprudencës, digjitalizim i këtillë është bërë edhe në Noteri, Ndërmjetësim dhe Përmbarim Privat. Tashmë në eKosova i kemi mbi 180 shërbime të digjitalizuara dhe deri në fund të vitit presim që ky numër të arrijë në mbi 200 të tilla. Nga viti 2021 e deri më sot kanë aplikuar 3209 kandidatë për provim të jurisprudencës, prej tyre me sukses e kanë përfunduar 747.
Apo pothuajse cdo i katërti. Pra, 747 profesionistë të rinj që tash kanë edhe provimin e jurisprudencës. Ne do vazhdojmë punën e zellshme në drejtim të kompletimit të infrastrukturës së ushtrimit të profesioneve të lira, duke nisur nga mbikëqyrja dhe inspektimi. Infrastruktura dhe sigurimi i kushteve të punës është detyrë e jona, por është edhe obligim i yni të sigurohemi që agjentët shtetërorë punojnë në pajtim me ligjin dhe për qytetarin.
Qasja e lehtë dhe e shpejtë ndaj shërbimit është obligim i çdo qeverie që kujdeset për qytetarët e saj. Duke pasur qasje më të shpejtë e të lehtë, qytetarëve iu sigurohet efikasiteti në trajtimin e nevojave të tyre.
Në kuadër të programit tonë qeveritar për transformim digjital po bëjmë shumë punë, nisur nga reduktimi i barrierës administrative e deri te lidhja e sistemeve dhe ndërveprimi i institucioneve, sikur që është ajo e Organit Shqyrtues të Prokurimit me bazën e të dhënave të evidencës penale, apo e e-prokurimit me thesarin.
Në të gjitha këto punohet pa ndalur me qëllim lehtësimin e përditshmërisë së qytetarëve tanë, por edhe zvogëlimin e kontaktit ndër-personal, i cili jo rrallë ka shpie te korrupsioni dhe kësisoj edhe te ngadalësimi e politizimi i administratës publike. Kjo tanimë po merr fund./Arbresh.info/
Celta Vigo në një finish dramatik ndal Barcelonën
Zelensky: Pres propozimet e Trump për t’i dhënë fund luftës
Mungesa e sinjalizimit paraqet rrezikshmëri të lartë në traf...
Ana i dërgon një dhuratë Kevinit, reagimi i tij do ju befaso...
Lituania do të financojë prodhimin e dronëve ukrainas me rre...
Plagosja me thikë e 32-vjeçarit në Durrës, shkak dyshohet ko...