Lansohet masa për efiçencën e energjisë në shtëpitë individuale

17:08 | 26 Gusht 2024
E.G

Sot u lansua thirrja e dytë publike për subvencionimin e masave për efiçencë të energjisë në shtëpitë individuale që ka për qëllim subvencionimin direkt për familjet që të investojnë në ngritje të efiçencës së energjisë në shtëpitë e banesat e tyre.

Në fjalën e tij hyrëse, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se këtë vit synojmë t’i subvencionojmë edhe 1,300 familje të tjera, derisa nga thirrja e parë kanë përfituar 2,100 familje, me mbi 12,000 anëtarë, me ç’rast vlera totale e subvencionit kishte arritur 7.9 milionë euro.

“Kësaj radhe thirrja parashihet të mbetet e hapur për dy javë, mirëpo duke pasur parasysh përvojën tejet pozitive të familjeve deri më tash dhe interesimin e madh për këtë thirrje, ju ftoj të gjithëve që të aplikoni sa më parë”, tha kryeministri.

Më tej, ai shtoi se këto masa në vazhdimësi janë dizajnuar në mënyrë që të përmirësojnë cilësinë e jetës e të ulin shpenzimet e energjisë për familjet e bizneset e vendit tonë. Ato janë rezultat edhe i mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian të cilët kanë lansuar pakon përkrahëse emergjente për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku Republika e Kosovës përfitoi 75 milionë euro, pakoja më e madhe për kokë banori në rajon.

Derisa falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen, si dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Financave, Punës e Transfereve për implementimin e masave, Kryeministri Kurti ftoi qytetarët që të hapin llogaritë në e-Kosova dhe të aplikojnë për të qenë përfitues të thirrjes.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë,

I nderuari z. Driton Hetemi, Drejtor i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë,

I nderuari z. Alessandro Biancardi, përfaqësues i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Në vitet 2022 e 2023 teksa e gjithë Evropa po përballej me krizë të paparë energjetike, furnizimi po rrezikohej për të gjithë ne. U bë e qartë domosdoshmëria për ri-formësim të sistemit energjetik të Evropës. Evropa nuk mund të mbetej peng i importit nga burimet e energjisë të shteteve autokrate e agresore si Rusia. E vetmja mënyrë për ta shmangur këtë është përmes rritjes së prodhimit të energjisë nga burimet e pavarura, si dhe përmes uljes së konsumit duke rritur efiçiencën e energjisë.

 

Asokohe, takim pas takimi, kemi kërkuar që kur të përgatiten masat për dalje nga kriza për Bashkimin Evropian, të mos lihen anash as shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në fund të fundit, e vetmja mënyrë jashtë një krize të përbashkët është bashkëpunimi i ngushtë përmbajtësor mes të gjitha vendeve tona. Si rezultat, Bashkimi Evropian ka lansuar pakon përkrahëse emergjente për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku Republika e Kosovës përfitoi 75 milionë euro, apo shumën më të lartë për kokë banori në rajon.

 

Qëllimi i kësaj pakoje ishte zbutja e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike. Por me këtë rast ne kishim edhe diçka tjetër në mendje. Kur kemi dizajnuar këtë pako, ne jemi siguruar që përfitimet të jenë të menjëhershme, por jo vetëm afatshkurtra. Masat janë dizajnuar ashtu që të përmirësohet cilësia e jetesës e të ulen shpenzimet e energjisë për familjet e bizneset e vendit tonë në të ardhmen, në afat të gjatë. Këtë pako, të përkrahur nga Bashkimi Evropian, e kemi bazuar në një skemë të suksesshme të Ministrisë së Ekonomisë gjatë dimrit 2022-2023: skemën e subvencionimit të pajisjeve efiçente për ngrohje për 10,000 familje, si dhe ide të tjera inovative.

 

Një ndër masat më të mirëpritura nga qytetarët vitin e kaluar, e me ndikimin më të madh e pozitiv në afat të gjatë është pikërisht kjo që po lansojmë sot – masa për efiçencën e energjisë në shtëpitë individuale.

 

Thirrja ka qenë e hapur sipas parimit të njëjtë: kush vjen i pari, shërbehet i pari. E si rezultat i interesimit të madh, thirrja është mbyllur vëtëm për 13 ditë ndonëse ka qenë e paraparë të jetë e hapur për 45 ditë. Kësaj radhe thirrja parashihet të mbetet e hapur për dy javë, mirëpo duke pasur parasysh përvojën tejet pozitive të familjeve deri më tash dhe interesimin e madh për këtë thirrje, ju ftoj të gjithëve që të aplikoni sa më parë sepse kush aplikon i pari shërbehet i pari!

 

Nga thirrja e parë kanë përfituar 2,100 familje, me mbi 12,000 anëtarë. Vlera totale e subvencionit ka arritur 7.9 milionë euro. Kësaj here synojmë t’i subvencionojmë edhe 1,300 familje të tjera për të izoluar shtëpitë e tyre, për të ndërruar dyert e dritaret e jashtme e për t’i izoluar çatitë e shtëpive.

Në vitet 2022 e 2023 teksa e gjithë Evropa po përballej me krizë të paparë energjetike, ne e kemi të qartë se duhej të ndërmerrnim diçka e cila na bën neve pjesë të Evropës për të dalur nga ajo krizë e përbashkët, dhe Bashkimi Evropian e dëshmoi një gjë të tillë pikërisht duke na ndarë një ndihmë të këtillë. Ne jemi bashkë atëherë kur e ndihmojmë njëri-tjetrin dhe Bashkimi Evropian e ka pikërisht këtë synim e këtë kuptim.

E tash të dashur qytetarë, përgjatë tri viteve të fundit si Qeveri kemi punuar që të hartojmë politika gjithëpërfshirëse e të zbatojmë masa dhe nisma të tilla që mbështesin secilën e secilin prej jush. Masat që po lansojmë sot nuk janë përjashtim. Si institucione jemi siguruar që çdo qytetar i Republikës së Kosovës të mund të përfitojë nga to. Po ju ndihmojmë që të ngrisni cilësinë e jetesës duke u siguruar që me sa më pak shpenzime për energji të keni mundësi që t’i mbani shtëpitë e juaja të ngrohta gjatë dimrit e të freskëta gjatë verës. Andaj, ju ftoj të gjithëve që të hapni llogaritë tuaja në e-Kosova dhe të aplikoni për të qenë përfitues të thirrjeve.

Dua të falënderoj Bashkimin Evropian për mbështetjen financiare prej 75 milionë euro, ky është solidariteti në vepër i tyre, për masat që lehtësojnë përballjen me krizën e që implementohen nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Ministria e Ekonomisë, dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Si dhe dua të përgëzoj Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë për një punë të shkëlqyeshme me këto masa e me përkrahje direkte të familjeve.

Ju priftë e mbara e ju faleminderit!/Arbresh.info/

 

Të ngjashme