Google ADS

Lajçak vjen në Kosovë me dy emisarë

21:45 | 8 Shtator 2022
L G

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe dy emisarë, njëri nga Franca e tjetri nga Gjermania, nesër do të vijnë në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, derisa nuk ka komentuar në lidhje me atë se çfarë pritet nga ky takim. Pjesëmarrjen në këtë takim nuk e ka konfirmuar i dërguari i SHBA-së për dialogun, Gabriel Escobar.

Ekipi i emisarëve për ndihmë ndaj dialogut Kosovë-Serbi, ku prin përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak këtë të premten sërish do të vijnë në Prishtinë. Se një takim i tyre me ekzekutivin do të ndodhë shpejtë e ka konfirmuar edhe kryeministri Albin Kurti. Mirëpo ai nuk ka komentuar rreth asaj se çfarë pret nga takimi.

” Dialogu që zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ku Kosova nuk është aty temë por palë bëhet me ndërmjetësimin e Brukselit dhe ndihmohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nesër do të vijnë emisarët special nga Berlini dhe Parisi që do ta shoqërojnë ndërmjetësin Lajçak, por natyrisht që ndihma e të gjitha shteteve tona mike është mirëseardhur”, tha kryeministri Kurti.

Subjektet politike opozitare nuk janë përgjigjur nëse emisarët do të takojnë edhe liderët e tyre. Megjithatë burime të RTK-së brenda opozitës kanë thënë se ende nuk kanë marrë thirrje për takim nga Lajçak.

Derisa ky i fundit pritet të vijë në Kosovë i shoqëruar nga emisari francez dhe ai gjerman, pjesë e këtij ekipi kësaj radhe nuk do të jetë Gabriel Escobar. RTK ka pyetur Lajçak dhe Escobar se pse ai nuk do të vijë në Kosovë por asnjëri nuk janë përgjigjur.

Për këtë analistët konsiderojnë se vizita e paralajmëruar e emisarëve evropianë është bërë në koordinim edhe me SHBA.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë thënë hapur që problemi Kosovë-Serbi është problem i Evropës dhe pritet rol më i fuqishëm i Evropës në zgjidhjen e këtij problemi. Caktimi i këtyre dy emisarëve sigurisht tregon edhe vullnetin dhe nevojën e Evropës që mos të mbeten komplet në hijen amerikane por të kenë një rol të tyre. Sigurisht edhe ti ndihmojë zgjidhjes së problemit bashkë me SHBA pasi e kemi pa se pas luftës në Ukrainë aleanca perëndimore ka qenë më e fuqishme sesa më parë. Pra kemi një unitet të SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian për zgjidhjen e problemeve të sigurisë në gjithë territorin e Evropës, me theks të veçantë edhe në Ballkanin Perëndimor”, tha analisti Bekim Kabashi.

“Z. Lajçak nuk do të jetë me përfaqësuesin e Departmentit të Shtetit Amerikan, Gabriel Escobar mirëpo besoj se kjo po bëhet në një koordinim të ngushtë me z. Escobar dhe me BE në mes procesi i Dialogu gjithsesi pop merr një shtytje më të madhe përpara. Kjo veç se ka kërkuar një vëmendje më shumë nga udhëhqësia e Kosovës dhe veç se po tregohet një vëmendje më shumë për dialogun, si rrjedhojë e gjithë këtij interesimi më të madh. Kosova thash do të bënte mirë që të artikulonte qartë pozicionet e saj në secilin rrafsh që të jetë ajo që është ofruese e ideve për marrëveshjen e njohjes së ndërsjellë, për marrëveshje të tjera të vogla që do të duhen nëse do të kërkohen nga palët ndërkohë por gjithsesi të mbajë vëmendjen e aleatëve për një marrëveshje përfundimtare me një afat real dhe të shpejtë në mënyrë që palët të dinë qëllimin përfundimtar të këtij angazhimi më të madh. Edhe të dinë palët natyrisht se vullneti më I madh I Kosovës dhe Serbisë po shkon drejtë një përfundimi të shumëpritur të këtij procesi”, tha analisti politik, Drilon Gashi.

Njohësit e çështjeve politike në vend po ashtu thonë se dinamika e shtuar e vizitave të emisarëve për dialogun Kosovë-Serbi në Kosovë dhe Serbi flet për një pajtim të shpejtuar mes palëve.

Të ngjashme