Google ADS

Lajçak: Ukraina para Ballkanit perëndimor në BE!

19:23 | 26 Prill 2022
L G

Lajçak shpjegoi se një muaj më parë ishte shumë optimist.

“Por tani guxoj të them se do të mund ta shikoni Ukrainën që të kërcejë para partnerëve në Ballkan, kur është fjala për integrimet evropiane”, tha Lajçak.

Në Sofje të Bullgarisë po mbahet Forumi BE-ja dhe Ballkani, ku po marrin pjesë ministra të vendeve të Ballkanit dhe zyrtarë e ish zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Aty po merr pjesë edhe Miroslav Lajçak, i dërguar i BE-së për procesin e dialogut Kosovë Serbi dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij, Lajçak tha se lufta në Ukrainë ka ndryshuar mënyrën e të menduarit të BE-së, sa i përket zgjerimit në aspektin pozitiv, sepse agresioni rus në Ukrainë, e ka bërë zgjerimin sërish çështje politike.

“Papritur të gjitha vendet e BE-së e kanë kuptuar se zgjerimi nuk është çështje teknike, por është çështje e të ndarit të vlerave dhe të të bërit pjesë e zgjidhjes”, tha Lajçak, raporton RTK.

Ai tha se Ballkani perëndimor duhet të jetë me BE-në në këtë kohë të vështirë.

“Kjo do të thotë se ka ndjenjë të urgjencës, dhe ndjenjën e një procesi të papërfunduar”, u shpreh i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.

“Gjithmonë ka një por. Në këtë kohë, BE-ja nuk ka kapacitete të ballafaqohet me më shumë probleme, sepse gjithçka tjetër është në Ukrainë”, u shpreh Lajçak.

Ai shpjegoi se BE-së i ka humbur durimi me problemet apo kuazi problemet në Ballkanin perëndimor.

“Presim që partnerët tanë në Ballkan të tregojnë se janë pjesë e zgjidhjes së problemeve, duke i zgjidhur vetë problemet ose duke na ndihmuar ne që t’i zgjidhim problemet e tyre”.

Ai shpjegoi se një muaj më parë ishte shumë optimist. “Por tani guxoj të them se do të mund ta shikoni Ukrainën që të kërcejë para partnerëve në Ballkan, kur është fjala për integrimet evropiane”, tha Lajçak, të cilit drejtuesi i debatit i kërkoi sqarim se si mund të ndodhë kjo!

“Fatkeqësisht nuk shoh shumë ndryshime kur vjen çështja tek retorika, ndërmjet partnerëve në rajon. Ata (vendet e Ballkanit perëndimor v.j) thonë të gjitha gjërat e duhura kur është çështja tek Rusia dhe Ukraina, por kur shihni në rajon, konfrontimet në Bosnje e Hercegovinë, kur shikoni mungesën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, atëherë mendoj se rasti i Ukrainës nuk ishte thirrje e mjaftueshme për ta për t’u zgjuar”, tha Lajçak.

Sipas tij, durimi dhe toleranca e BE-së me të vërtetë është ndikuar nga lufta në Ukrainë. Për këtë arsye, Lajçak tha se vendet e Ballkanit perëndimor duhet të jenë pjesë e zgjidhjes së problemeve. “E jo të merreni me plagët që shpesh ia krijoni vetes”.

Të ngjashme