Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të mblidhen më 12 tetor për të diskutuar një sërë çështjesh, duke përfshirë dialogun Kosovë-Serbi, sanksionet e mundshme ndaj Rusisë për rolin e saj të pretenduar në helmimin e politikanit të opozitës, Aleksei Navalny dhe situatën në Bjellorusi.
I dërguar i Posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak do t’u raportojë ministrave të vendeve anëtare për rrjedhën e dialogut dhe problemet, në të cilat ka hasur deri më tani.
Ndërsa, në lidhje me helmimin e Navalnyt, Franca dhe Gjermania javën e kaluar paraqitën propozime për të vendosur sanksionet ndaj individëve rusë, përgjegjës për helmimin e tij dhe ndaj një njësie të përfshirë në programin që prodhon një agjent nervor nga grupi Noviçok.
Propozimi i sanksioneve erdhi pasi Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), më 6 tetor, konfirmoi gjetjet e laboratorëve të specializuar në Gjermani, Francë dhe Suedi se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor nga grupi Noviçok.
Gjermania dhe Franca akuzuan Rusinë për dështim në hetimin e plotë të rrethanave të helmimit të Navalnyt.
“Në këtë kontekst, ne konsiderojmë se nuk ka asnjë shpjegim tjetër të arsyeshëm për helmimin e Navalnyt, përveç një përfshirje dhe përgjegjësie ruse”, thanë ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas dhe homologu i tij, Jean-Yves Le Drian, në një deklaratë të përbashkët më 7 tetor.
Është e paqartë nëse ministrat e jashtëm të BE-së do të bien dakord mbi sanksionet në këtë takim apo do ta shtyjnë vendimin për një datë të mëvonshme.
Navalny është sëmurë në një fluturim nga Siberia në Moskë më 20 gusht dhe ka kaluar gati tri javë në gjendje kome.
Dy ditë më vonë, ai është transferuar në spitalin Charite të Berlinit, ku mjekët kanë gjetur gjurmë të agjentit nervor Noviçok në trupin e tij.
Ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë gjithashtu përgjigjen e bllokut ndaj zhvillimeve në Bjellorusi, duke përfshirë sanksionet e mundshme ndaj Alyaksandr Lukashenkas dhe individëve të tjerë.
Më parë në tetor, BE-ja sanksionoi 40 zyrtarë të Bjellorusisë për rolin e tyre në një shtypje brutale të protestuesve dhe opozitës si dhe mashtrimeve gjatë zgjedhjeve të 9 gushtit.
Lukashenka nuk është në listën e sanksioneve, por diplomatët e BE kanë thënë se ai mund të shtohet më vonë./Express/
Guri i LDK’së: Mundeni me na paditë, por drejtësisë nuk mund...
Mirlind Daku shkëlqen me dy gola në fitoren e Rubin Kazanit ...
Reshjet e dendura të shiut, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni...
Peci ngre kallëzim penal ndaj Lumir Abdixhikut e Paris Gurit...
Moti i keq me reshje shiu në Shqipëri, apel shoferëve për ku...
E transferuan gjatë verës, por Juventus është gati të ndajë ...