I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, të enjten dhe të premten do të qëndrojë në Prishtinë për takime me liderë të institucioneve të Kosovës, por edhe me përfaqësues të opozitës.
Në fillim të javës së ardhshme, ai do të qëndrojë dy ditë edhe në Beograd.
Vizitat i ka konfirmuar Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri.
Sipas Stanos, Lajçak në Prishtinë do të qëndrojë më 9 dhe 10 mars, ndërsa me datat 13 dhe 14 do të qëndrojë në Beograd.
Ai ka thënë se pas takimit që liderët e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, kanë pasur së fundi në Bruksel, më 27 shkurt, Lajçak do të shkojë në Prishtinë dhe Beograd për t’i vazhduar ato diskutime dhe për të përgatitur takimin e radhës më 18 mars në Ohër.
Stano ka konfirmuar se tash qëllimi kryesor është që të arrihet pajtimi rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e marrëveshjes.
Ai ka thënë se qëllimi final është normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve, përmes një marrëveshjeje ligjërisht obliguese, por kjo, sipas tij, do të pasojë në fund të procesit.
Zëdhënësi i BE-së ka përsëritur se në takimin e mbajtur së fundi, Kurti dhe Vuçiq ishin pajtuar për tekstin e marrëveshjes, e kishin miratuar atë, por nënshkrimi i saj nuk ishte i paraparë për atë takim.
Bashkim i Evropian, siç ka thënë para disa ditësh edhe një zyrtar i lartë i tij, synon që, në një skenar ideal, në takimin e radhës ndërmjet kryeministrit Kurti, dhe presidentit Vuçiq – për të cilin është konfirmuar se do të zhvillohet në Ohër më 18 mars – të arrihet pajtimi edhe për planin zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e raporteve./REL
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...
Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nënt...
Ancelotti: Edhe nëse fitonim ishte e vështirë të ishim në to...
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York
Katër arsye pse disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje?