Lajçak: Marrëdhëniet Kosovë-Serbi ndikojnë edhe në rajon

15:55 | 17 Dhjetor 2021
S D

Miroslav Lajçak përsëriti se nuk sheh alternativë më të mirë për Ballkanin Perëndimor sesa anëtarësimi në Bashkimin Evropian, duke treguar katër sfidat kryesore të rajonit.

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera në Ballkan, ka pohuar se marrëdhëniet mes dyja vendeve – Kosovës dhe Serbisë – kanë ndikim edhe në bashkëpunimin rajonal.

“Sfida e rëndësisë më të madhe strategjike është normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, sepse nuk ka të bëjë vetëm me dy vende duke marrë parasysh se shqiptarët dhe serbët jetojnë në çdo vend të Ballkanit dhe se marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ndikojnë në bashkëpunimin rajonal, ndaj zgjidhja e kësaj çështjeje është e një rëndësie strategjike më të madhe”, tha sllovaku, raporton vijesti.me.

Ai foli edhe për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut si dhe situatën e paqëndrueshme politike në Bosnje-Hercegovinë.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria urgjentisht duhet të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE dhe kjo duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur. Problemi serioz është edhe kriza në Bosnje-Hercegovinë”, tha Lajçak gjersa ka shtuar se “qeveria malazeze aktualisht nuk e ka shumicën në parlament dhe ky problem duhet të adresohet”.

Mbi të gjitha, diplomati evropian deklaroi se sfida themelore është drejtimi që po merr gadishulli ballkanik.

“Dhe sfida që mendoj se është më themelore është pyetja se si do të jetë Ballkani. A do të ketë një Ballkan që ndan vlerat evropiane, që promovon demokracinë dhe sundimin e ligjit, që lufton korrupsionin dhe që ka media të pavarura dhe shoqëri civile? Ose do të kemi shoqëri në të cilat nuk ka asgjë të tillë pa pasur një lloj qeverie autoritative, pa respektuar vlerat evropiane”, përfundoi 58-vjeçari.

Ndryshe, Lajçak kohët e fundit ka qëndruar në shtetet e rajonit, ku është takuar me liderët shtetëror.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme