Lajçak: Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar për planin evropian, ka mbetur të pajtohen vetëm edhe për implementimin e tij

17:58 | 9 Mars 2023
E.H

Pas dy orësh, ka përfunduar takimi mes të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçk dhe kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

Lajçak, në një prononcim për media pas takimit ka thënë se palët e dialogut Kosovë-Serbi janë pajtuar mbi planin evropian dhe se ka mbetur vetëm që të pajtohen edhe mbi planin e implementimit

Ai ka thënë se është në Prishtinë pikërisht për të diskutuar rreth kësaj, në mënyrë që Kosova të vazhdojë me hapat e mëtutjeshëm e që marrëveshja të bëhet ligjërisht e detyrueshme.

“Siç e dini, takimi i 27 shkurtit ka qenë një sukses. Të dy liderët, edhe Kurti edhe Vuçiq janë pajtuar se nuk ka nevojë që marrëveshja të diskutohet. Ajo është publikuar tashmë, mirëpo nëse duam që ajo të bëhet ligjërisht e detyrueshme, partitë duhet të pajtohen edhe në planin e implementimit. Pra, duhet t’ dimë hapat e mëtutjeshëm. Për këtë edhe jam në Prishtinë, që ta diskutoj planin e implementimit me kryeministrin Kurti”, ka deklaruar Lajçak, transmeton arbresh.info.

Tutje, Lajçak tha se biseda me kryeministrin Kurti ka qenë konstruktive e se ajo i ka takuar pritshmëritë e tij.

“Mund të them se kemi pasur biseda konstruktive, të rëndësishme dhe shumë të dobishme. Unë gjithashtu takova edhe presidenten, me të cilën patëm një bisedë për komunitetin internacional. Arsyeja kryesore e këtij takimi është e kësaj vizite është të shoh dhe të marrë informacione se si Kosova e sheh implementimin dhe ky takim ka pasur pritshmëritë e mia”, u shpreh Lajçak.

Ky takim është në vazhdën e konsultave me kryeministrin Kurti para takimit të 18 marsit me presidentin e Serbisë në Ohër.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme