Edhe pse në selinë e Bashkimit Evropian nuk duan të komentojnë derisa të mos ketë ndonjë vendim formal, sipas burimeve diplomatike, ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, pritet të jetë përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Emri i tij është përmendur shpesh në media, por edhe në qarqet diplomatike, mirëpo këto janë quajtur gjithmonë vetëm si spekulime.
Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme, Petar Stano, ka thënë të premten në një konferencë për shtyp se ende nuk ka vendim se a do të ketë apo jo të dërguar të posaçëm dhe se BE-ja nuk dëshiron të spekulojë lidhur me emrat e kandidatëve që janë përmendur në media.
Sipas burimeve diplomatike ka pasur vetëm disa rezerva ndaj emërimit të Miroslav Lajçakut, pasi edhe ai, sikurse dhe përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, vjen nga një vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Të njëjtat burime thonë se në ditët në vijim do të duhet të sqarohet edhe statusi, të cilin një përfaqësues i tillë i posaçëm do ta ketë brenda institucioneve të Bashkimit Evropian. Nëse ai do të jetë vetëm i dërguar i posaçëm, atëherë mund të emërohet vetëm nga përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Por, nëse do të jetë përfaqësues i posaçëm, atëherë duhet ta marrë edhe pëlqimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Këshill.
Lajçak ka një përvojë të madhe nga rajoni i Ballkanit, meqë ka qenë përfaqësues i Posaçëm në Bosnje e Hercegovinë dhe i dërguar i Posaçëm para referendumit në Mal të Zi.
Ai gjithashtu ka përvojë edhe nga shërbimi i Jashtëm i BE-së, ku ka shërbyer në të kaluarën si drejtor menaxhues.
Idenë që të ketë një përfaqësues të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, e ka përmendur gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi edhe përfaqësuesi i Lartë, Borrell.
Një emërim i tillë, sipas diplomatëve, do t’i jepte rolit të BE-së si lehtësuese e dialogut, një dimension më shumë politik sesa që kishte deri më tash.
Në BE pohojnë se sa i përket Kosovës dhe dialogut të saj me Serbinë nuk bëjnë gara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, disa diplomatë thonë se emërimi i të dërguarve të posaçëm amerikanë për dialog ka ndikuar që edhe në BE të mendojnë për një gjë të tillë.
Përderisa pritet të sqarohet roli dhe posti formal i përfaqësuesit të ardhshëm për dialogun Kosovë-Serbi, në BE vazhdojnë paralelisht edhe përgatitjet për samitin e Zagrebit dhe për metodologjinë e re në procesin e zgjerimit. Për këto tema, me datën 16 të këtij muaj në Bruksel do të zhvillohet një darkë pune ndërmjet krerëve të institucioneve të BE-së dhe liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nga BE-ja në takim do të marrin pjesë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula van der Leyen, dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, si shef i qeverisë së vendit që ka kryesimin e radhës së BE-së./rel
Kosova mëson kundërshtarin e play-offit në Ligën e Kombeve
Kobra dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen në P...
Orban fton Netanyahun në Hungari, pas lëshimit të fletarrest...
Gjykata Kushtetuese merr vendim për Berishën
Pacolli të shtunën takim humanitar në Gjermani
Mbappe nuk do të jetë më kapiten i Francës? – gazeta L’Equip...