Google ADS

Ky është qëndrimi më i ri i Qeverisë së Kosovës për Asociacionin e Komunave Serbe

15:22 | 8 Gusht 2022
arbresh.info

Kryeministri, Albin Kurti, sa i përket marrëveshjes për Asociacionin për komunat me shumicë serbe, ka thënë se organizimet që bashkojnë komunat me veçanti gjeografike apo ekonomike janë të nevojshme, por jo ato në bazë të etnisë.

“Kosova e ka Asociacionin e Komunave të Kosovës. Unë besoj se gjithçka mund të realizohet aty. Asociacioni i Komunave të Kosovës është shprehje e unitetit të vendit tonë dhe njëkohësisht është shprehje e brengës sonë për çdo nevojë që mund ta kenë komunat”, deklaroi Kurti në një intervistë për REL.

Sipas tij, serbët e Kosovës nuk e kanë kërkuar asociacionin njëetnik, “ai ka qenë kërkesë e Beogradit dhe fatkeqësisht koncesion i pararendësve të mi”.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë që tashmë Asociacioni duhet të diskutohet dhe, sipas tij, ka disa modele evropiane që mund të ndiqen për Asociacionin.

“Modelet, të cilat janë zhvillimore, janë padyshim të nevojshme. Nëse kemi, ta zëmë, komunat e Maleve të Sharrit, ose të Bjeshkëve të Rugovës, ose komunat e Lumit Lepenc, komuna të cilat kanë të bëjnë me veçantinë gjeografike, ekonomike e zhvillimore të komunave, unë jam i interesuar. Por, asociacione sipas kriterit etnik, nuk e kalojnë testin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të parimit universalist demokratik. Nuk e kalojnë”, deklaroi Kurti në lidhje me deklaratat e Escobar.

Sipas Kurtit, nuk duhet të bëhet asociacioni i komunave serbe pse kemi këtë identitet etnik, nëse ia duam të mirën këtij vendi.

“Dhe, kur kihet parasysh që Beogradi – paralelisht me kërkesën për asociacion njëetnik – deklaron se kurrë nuk do ta njohë Kosovën, pasi që masakra e Reçakut kurrë nuk ka ekzistuar – atëherë besoj që nuk ka njeri për të cilin nuk është i qartë konteksti në të cilin jetojmë.”/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme