Asamblistët e Komunës së Prishtinës nuk janë dakorduar që xhamia e madhe në Prishtinë të ndërtohet në bazë të modeleve klasike të Perandorisë Osmane. Sipas tyre, një model i tillë nuk e pasqyron traditën dhe personalitetin shqiptar.
Këto deklarata ata i bënë gjatë diskutimit mbi atë se duhet apo jo të ndërtohet xhamia në lokacionin e ndarë afër Postës së Madhe, e cila po del të jetë e vogël në bazë të madhësisë së xhamisë
Ndarja e lokacionit dhe plani arkitekturor i xhamisë, e cila pritet të ndërtohet në kryeqytet, ka nxitur debate ditëve të fundit. Shqetësimet lidhur më atë se a përshtatet arkitektura e saj me Planin Rregullativ dhe paqartësitë rreth lokacionit kanë shtyrë kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, që të martën ta fusë në rend të ditës për diskutim në Kuvend.
E kjo çështje zgjoi debat në Kuvendin e Prishtinës. Kryesuesi i seancës nga radhët e LDK-së, Halim Halimi, tha se nuk ka pasur arsye që kjo çështje të kthehet përsëri në Kuvend, pasi që, kjo çështje ka marrë miratimin e asamblistëve para 5 vjetëve.
“Tashmë nuk është çështje e Kuvendit e as e asamblistëve të vendosin që të ndërtohet apo jo xhamia, pasi që vendimi për të është marrë 5 vjet më parë kur i është ndarë edhe lokacioni dhe tashmë vendimi për të i mbetet organeve ekzekutuese dhe Drejtorisë së Urbanizmit që ta zbatojë këtë projekt”, ka thënë ai. Por, kjo deklaratë e tij irritoi kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti. Ai tha se ka vendosur që ta fusë për diskutim në mënyrë që të qartësohen gjërat, pasi që kjo çështje ditëve të fundit është politizuar.
“Unë kam vendosur që ta fusë në rend për diskutim vetëm që të gjitha polemikat dhe paqartësitë e ditëve të fundit të ndalen. Ajo që ka zgjuar debat është mungesa e dhënies së lejes për ndërtim, ani pse lokacioni është e vërtetë që është ndarë para 5 vjetëve. Por, ka mëdyshje nëse duhet apo jo që brenda xhamisë të ketë edhe dyqane, pasi që kjo është ajo çka ka paraparë BIK-u, përmes planit për ndërtimin e xhamisë. Por, as me ligje nuk është e rregulluar nëse duhet të ketë apo jo brenda një kulti fetar biznese të tilla. Çështja tjetër është se a përshtatet plani arkitekturor i xhamisë më Planin Rregullativ të asaj pjese. Për këtë shkak ka vendosur që të gjithë ta japim mendimin tonë për këtë çështje. Ajo çka unë do të potencoj është që kjo xhami do të ndërtohet, edhe përkundër zërave do të ndërtohet”, ka thënë ai.
Për Bashkësinë Islame të Kosovës, ndërtimi i një xhamie me përmasa të mëdha në kryeqytet ka qenë nevojë e kamotshme. Resul Rexhepi nga BIK-u, duke ftuar organet kompetente që ta japin lejen për ndërtimin e saj, theksoi së Xhamia Qendrore, siç e quajnë ata, do të jetë me e madhja në Ballkan, ndërtimi i saj do të kushtojë afro 40 milionë euro, ndërsa është donacion nga Bashkësia Islame e Turqisë.
“Ndërtimi i një xhamie ka qenë nevojë tash e 17 vjet në kryeqytet. Ndërtimi i saj nuk ka të bëjë me partitë politike, por është e qytetarëve. Ne kërkojmë që të na jepet leja dhe ta përfundojmë ndërtimin e saj, e cila ka filluar qe 5 vjet.
Kërkojmë edhe nga ju që të na përkrahi pasi që jeni dëshmitarë së besimtaret e fesë islame gjatë ditës së xhuma falen rrugëve dhe jashtë xhamive, pasi që nuk ka vende të mjaftueshme. Jemi lodhur duke kërkuar tash e sa vite. Kjo xhami është donacion i Bashkësisë Islame Turke dhe do të kushtojë afro 40 milionë euro. Është përzgjedhur edhe plani i ndërtimit të saj. Kërkoj mbështetjen tuaj”, ka thënë ai. Shefki Gashi nga LDK-ja tha së kjo parti përkrah ndërtimin e xhamisë dhe kërkon që të fillohet më ndërtimin e saj, ndërsa shton se kishte më qenë më mirë nëse do të ndërtohej në bazë të arkitekturës shqiptare.
“Ne si LDK e përkrahim dhe jemi për ta ndërtuar xhaminë, pasi që edhe lokacioni është i ndarë. Por kam një kërkesë personale, për mendimin time më mirë do të ishte nëse xhamia do të ndërtohej nëse do të projektohet në bazë të arkitekturës shqiptare”. Edhe Ylli Hoxha, këshilltari komunal nga “Vetëvendosje”, tha se xhamia duhet të ndërtohet, mirëpo ka nevojë që të merren të gjitha palët nëse orientimi i objektit përkon apo jo me lokacionin.“Pikëpamjet e mia nuk mendoj se duhet ta kthejnë projektin prej fillimit. Propozoj që të sanohen problemet e vogla dhe pengesat e vogla që e pengojnë projektin. Lokacioni nuk përkon me madhësinë e Xhamisë, e cila është e paraparë në bazë të Planit Ndërtues”, tha Hoxha./arbresh.info/
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale
Kurti: Synimi ynë është që edhe Kosova të marrë pjesë në Eur...
“Çfarëdo që vendosim tani do llogaritet si lojë”, Sara dhe D...
Policia me njoftim për disa gjoba në rajonin e Prishtinës
Manchester United me rekord të zi këtë edicion në Premier Le...
Shkon në 94 numri i të vdekurve nga cikloni në Mozambik