Ky është plani i KGJK-së për parandalimin e parashkrimit absolut të lëndëve në kohë pandemie

08:08 | 2 Prill 2020
A Z

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) po bën të pamundurën për të parandaluar parashkrimin e lëndëve që rrezikojnë të arrijnë parashkrimin absolut, në këtë kohë pandemie.

Marrë parasysh gjendjen aktuale në vend e shkaktuar nga koroanvirusi, ku të gjitha aktivitetet janë pezulluar, pos atyre rasteve emergjente, KGJK po shqyrton një plan që do të mundësonte parandalimin e parashkrimit absolut të lëndëve.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Skënder Çoçaj thotë  ky këshill po bën plan që përmes platformave të ndryshme online të mbahen seanca gjyqësore, apo edhe ato raste, ku numri i palëve në seancë është i vogël, të mbahen, në mënyrë që parandalohet parashkrimi absolut.

Çoçaj thotë  nuk e di se sa do të arrijë  KGJK t’i realizoj,  këto plane.

“Për parashkrim absolut, ne jemi tu u mundu, dhe veç e kemi filluar punën me bë përpjekje me i mbajt disa seanca për ta parandaluar parashkrimin absolut, edhe pse është shumë vështirë këtë situatë me mbajt seanca gjyqësore, për shumë arsye, edhe ligjore edhe shëndetësore. Kështu më shkurt jemi duke i bërë disa plane se sa këna me mund mi realizu nuk e dimë, sepse krejt varet prej situatës aktuale ku jemi”, tha Çoçaj për arbresh.info.

Kryesuesi i KGJK-së, thotë se është e pamundur që palët që janë nga komunat e prekura nga koronavirusi të mund të ftohen në seancë, edhe nëse lënda është pranë parashkrimit absolut.

“Psh çka nëse duhet me thirrë një palë prej Malisheve, prej Vitie, apo prej Kline. Hapi i parë që jemi duke e ndërmarr ne, është mi identifiku cilat janë lëndët që kanë rrezik parashkrimi absolut, e pastaj me bë një plan veprimi, me mbajt seancat gjyqësore aty ku mundemi përmes platformave të ndryshme online, aty ku mundemi me mbajt ndonjë seancë gjyqësore ku ka pakë palë  dhe mund ta sigurojmë prezencën e tyre nëpër gjykatoret tona. Kështu më shkurt jemi duke i bërë disa plane se sa këna me mund mi realizu nuk e dimë, sepse krejt varet prej situatës aktuale ku jemi”, u shpreh kryesuesi i KGJK’së, Skënder Çoçaj.

Jeta e qytetarëve, sipas tij, është më e rëndësishme në këtë kohë se sa çdo gjë  tjetër.

“Po konsiderojmë që e para është jeta e qytetarëve tanë, pastaj vijnë senet tjera”, tha ai.

Sa i përket parashkrimit relativ, Çoçaj, tha se parandalimi i këtij parashkrimi rregullohet me ligj në situata të tilla.

“Nëse flisni për parashkrimin relativ, është vetë ligji që e rregullon atë situatë, nëse e shikoni ligjin në situata të jashtëzakonshme, tërmeti e rrethana të tjera, e ndalojnë rrjedhën e afatit për parashkrim relativ”, u shpreh ai.

Ndryshe, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, më parashkrim – vjetërsim absolut nënkupton dyfishin e kohës së kaluar të parashkrimit për një vepër penale të caktuar./Gita Lushi/arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme