Ky është numri i vizitorëve çdo vit në kompleksin e familjes Jashari

16:26 | 5 Mars 2017
Arbresh.info

Objekte të shumta të përditshmërisë që nga kamioni lodër i Blerim Jasharit deri të arma e Komandantit Adem Jashari janë ekspozuar në muzeun e Kompleksit Memorial të familjes Jashari në Prekaz.

Prekazi, fshat në Komunën e Skënderajt bëhet adresë e mijëra vizitorëve nga e gjithë bota shqiptare në ditët e para të marsit. Ata vijnë të shohin dhe dëgjojnë historinë e betejës dhe sakrificës së këtij fshati për liri, shkruan kallxo.com

59 viktima përfshirë, gra dhe fëmijë ranë në betejën e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998 kur forcat serbe e rrethuan fshatin Prekaz duke pasur në shënjestër familjen e Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.

Sot, 18 vite pas, shtëpitë e shkatërruara nga plumbat dhe artileritë e ushtrisë serbe vizitohen çdo vit nga rreth 400 mijë njerëz.

Sipas ciceronit të muzeut i cili është hapur vitin e kaluar, Ilaz Halimi, ka vizitorë nga e gjithë bota që interesohen për historinë e kësaj familje.

“Muzeu është muze lokal, kryesisht i Jasharajve dhe janë gjëra personale të familjes Jashari dhe pjesëtarëve të tjerë të lagjes Jasharaj si vegla pune, enë të ndryshme ushqimi, kemi armë, fotografi të dëshmorëve. Kemi vizitorë nga gjithë Evropa, Amerika e Veriut, nga Azia dhe rrallë edhe nga Afrika”, përshkruan Halimi.

Në këtë kompleks ku gjenden varrezat e dëshmorëve dhe shtëpitë e Jasharajve gjenden akoma eksponate që sipas ciceronit mbeten të mblidhen në të ardhmen në një muze më të madh.

Nëse vizitoni këtë kompleks, ciceroni do t’ju tregojë edhe për historinë e vajzës të vetme që mbijetoi në këtë beteje, Besarta Jashari, e cila u fsheh në maxhe (vend për ruajtjen e miellit), e cila është e ekspozuar në muze.

“Besarta ka qenë në një maxhe dhe kur futen forcat serbe më 7 mars pasi përfundon beteja, futet grupi i parë dhe Besarta shtrihet si e vdekur, kur futet grupi i dytë për mi tërhek kufomat e gjen Besartën të gjallë, e kapin për dore dhe e kanë afruar të secila kufomë… Kur e pyesin për Adem Jasharin se kush është ky ajo i gënjen , i thotë se është daja”, tregon Halimi.

Megjithë madhështinë dhe historinë që e bart ky kompleks ai ka filluar të shkatërrohet në mungesë të konservimit që pritet të bëhet me ndarje të buxhetit nga Qeveria e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme