Google ADS

Ky është numri i të burgosurve që do të votojnë në zgjedhjet e së dielës

09:12 | 19 Tetor 2017
L G

Zgjedhjet lokale do të zhvillohen këtë të diele në të gjitha komunat e Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ndërkohë që votën e tyre do të hedhin edhe të burgosurit në burgjet e Kosovës.

Drejtori për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve,  Ali Gashi i  ka thënë Arbresh.info se  Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK)  me kërkesë të  Sekretariatit të  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (SKQZ) ka bërë gati regjistrat e të gjithë personave të privuar nga liria.

“Bazuar në kërkesën e z. Enis Halimi, Kryeshef Ekzekutiv i SKQZ-së të dt. 21.09.2017, Shërbimi Korrektues i Kosovës i ka përpiluar regjistrat e të gjithë personave të privuar nga liria e që janë në vuajtje të dënimit në Qendrat Korrektuese dhe në Qendrat e Paraburgimit”, thotë Gashi për Arbresh.info.

Ai tha se tashmë edhe listat e personave të privuar nga liria janë bërë gati dhe se në zgjedhjet lokale 2017, të drejtë vote kanë mbi 1 mijë të burgosur dhe të paraburgosur.

“Sipas listave të dërguara nga SHKK dhe të verifikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor persona me të drejtë vote për Zgjedhjet Lokale për Kryetar të Komunave dhe për Asamble Komunale janë: njëmijë e dyqind e pesëdhjetë e nëntë (1259). Me kohë në KQZ i kemi dërguar të dhënat: Emrin, mbiemrin, Datën e lindjes, nr. personal të letërnjoftimit, vendin e lindjes/komunën”, shprehet Gashi.

Sipas tij, të burgosurit do të votojnë më 22 tetor 2017 në Qendrat Korrektuese dhe në Qendrat e Paraburgimit, duke shtuar se vend votimet do të jenë të hapura prej orës shtatë.

Gashit tregoj se të gjithë të burgosurit do të votojnë një nga një në vendet e veçanta për zgjedhje në prezencë të ekipeve mobile/lëvizëse të formuara nga KQZ./ Arbresh.info/ Gita Lushi

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme