Ky është asamblisti i VV që mbushi titujt e mediave shqiptare e kosovare

14:43 | 16 Gusht 2023
E.H

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Besnik Mujeci mbushi titujt e mediave në Kosovë e Shqipëri gjatë ditës së martë.

Kjo, pasi Policia e Shtetit në Shqipëri raportoi se Mujeci, bashkë me katër persona të tjerë u prangosën gjatë një operacioni policor të koduar “Punisher 2”.

Të arrestuarit: Mithat Ramadani 30 vjeç dhe Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë, sipas policisë shqiptare janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugëve “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11 e 300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kilogramë dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

Sipas policisë shqiptare, pesë të arrestuarit, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë – Tiranë.

Pas mbërritjes së dërgesës në Tiranë, sipas policisë, ato transportoheshin me vetura me qira në qytete të tjera, kryesisht në zonat bregdetare
Policia thekson se për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci.

Menjëherë pas konfirmimit të lajmit për arrestimin e tij nga policia e Shtetit shqiptar, në një mbledhje të jashtëzakonshme, Lëvizja Vetëvendosje mori vendim të përjashtojë Besnik Mujecin nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Vetëvendosjes.

Jo më pak i rëndësishëm është edhe kosovari tjetër i arrestuar, Mithat Ramadani, reperi prishtinas i njohur me emrin artistik, ‘Despoti’.

Ditë më parë, Despoti përveç që ka publikuar projektin e ri muzikor, edhe ka performuar në skenën e “Doku Fest” në Prizren./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme