Kuvendi vazhdon diskutimin për buxhetin për vitin 2018

17:08 | 5 Dhjetor 2017
M. A.

Në vazhdimin e seancës për shqyrtimin e projektbuxhetit për vitin 2018, deputetët kanë thënë se sektori i bujqësisë vazhdon të diskriminohet nga Qeveria “Haradinaj”.

Deputeti Driton Çaushi ka thënë se në prezantimin e ministrit të Financave Bedri Hamza sot për buxhetin, është deklaruar se buxheti për bujqësi është rritur 9 përqind, por sipas Çaushit për këtë sektor ka rritje vetëm 2 milionë euro.

“Nuk ka ndryshim esencial për ndarjen e mjeteve për bujqësi, unë dëgjova nga ministri se rritja është 9 përqind, një gjë e tillë nuk qëndron, për shkak se rritja e buxhetit për Ministrinë e Bujqësisë është vetëm dy milionë euro. Nuk e kuptoj si mund të jetë kjo një qasje e re, qasje serioze ndaj këtij sektori”, ka thënë Çaushi.

Ndërsa, deputetja Mimoza Kusari Lila ka thënë se buxheti i prezantuar sot nuk ka politika zhvillimore, përderisa një Qeveri e cila e quan veten të djathtë prezanton buxhet super të majtë.

Kusari Lila ka thënë se nga 22 ministri që i ka kjo ‘mega-Qeveri’, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e posedon një të katërtën të buxhetit(1/4) ose 407 milionë.

“Buxheti i Qeverisë ‘Haradinaj”, është sikurse pasuria e një numri zyrtarësh shtetëror. E din se ju ka rritë në mënyrë enorme ajo pasuri, por nuk ka teori ekonomike që mund ta shpjegojë një rritje të tillë të pasurisë. Fatkeqësisht për popullin e Kosovës nuk po ndodhë e njëjta. Katër shtylla kryesore janë në programin qeverisë Haradinaj, sundimi I ligjit, zhvillimi ekonomik dhe punësimi, integrimet Euroatlantike dhe zhvillimi sektorial. Në asnjërën prej këtyre shtyllave nuk ka politika zhvillimore ose fokusim buxheti në to”, ka thënë Kusrai Lila.

Debati për shqyrtimin e projektbuxhetit 2018, është duke vazhduar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme