Sesioni pranveror i punës së Kuvendit të Kosovës, i planifikuar sipas rregullores të nis me 21 janar, fillon me 30 janar, me dy seanca plenare. Projektbuxheti dhe ligjet e vëna si kusht nga PSD-ja do të jenë sfida e parë, ndërsa sipas njohësve të proceseve politike, edhe kuorumi do të jetë një sfidë që do ta përcjellë legjislativin edhe gjatë sesionit të ri të punës.
Sesionin pranveror, Kuvendi i Kosovës do ta nisë me dy seanca. Kryesia ka caktuar të premten dy seanca plenare, njërën më 30, tjetrën më 31 janar. Por sfidat me të cilat do të përballet legjislativi do të jenë ato të vjetrat. Një prej tyre, sipas politologut Ramush Tahiri, është mungesa e kuorumit.
“Kuvendi i Kosovës, sfidat themelore i ka bërja e kuorumit dhe votimi i ligjeve që vijnë nga Qeveria. Kjo është themelorja, sepse koalicioni është i brishtë dhe nuk po arrin të ketë kuorum”, tha Tahiri.
Projektligji për buxhetin 2019, është një prej çështjeve të para që Kuvendi do ta trajtojë në seancën e 31 janarit, ndërsa po ashtu edhe Projektligji për Pagat, që nga PSD-ja është vënë kusht që të shqyrtohet në lexim të dytë, përnjëherë me projektbuxhetin.
Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, që e monitoron punën e Kuvendit, edhe Projektligji për Dialogun, është një tjetër çështje që Kuvendi duhet ta trajtojë qysh në fillim të sesionit. Blerta Aliu, nga ky institut, thotë se Kuvendi duhet t’i kthehet punës së rregullt, jo siç ka funksionuar gjatë sesionit të kaluar.
Kuvendi do duhej ta rikthente praktikën e mbajtjes së seancave ditën e enjte, eventualisht të premten, ashtu siç e parasheh Rregullorja e Punës së Kuvendit, në mënyrë që t’u jepet hapësirë komisioneve parlamentare që mbledhjet e tyre t’i mbajnë ditëve të tjera dhe të zhvillohet një proces normal i punës. Pastaj mungesa e deputetëve do duhej të rregullohej përmes një rregulloreje të re të punës së Kuvendit”, ka thënë Aliu për Radio Kosovën.
Përveç me ligje, sipas politologut Ramush Tahiri, Kuvendi në fillim të sesionit duhet të ballafaqohet edhe me problemet e fundit të qytetarëve, sikur që janë grevat.
“Në Kuvend duhet të zhvendoset edhe debati parlamentar për çështjen e grevave dhe për probleme të ndryshme, me të cilat ballafaqohet shoqëria në Kosovë”, tha Tahiri.
Seanca e 30 janarit do të jetë e ngarkuar me mbi 60 pika të rendit të ditës të bartura nga seancat e sesionit vjeshtor. Sipas platformës Votaime.org, gjatë vitit 2018, është përmbushur 42 për qind e agjendës legjislative, duke u miratuar 75 ligje nga 177 sa janë gjithsej. Në procedurë janë 56 projektligje, ndërsa në pritje 46.
Musliu në Köln të Gjermanisë: Përkrahja juaj është fitorja j...
Astrit Selmani gjen sërish golin dhe vazhdon me formë të lar...
Në prag të protestës së 26 nëntorit, Berisha: Nesër do të kr...
Ciolacu prin në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë, sipas s...
Kurti pret nesër në takim kryetarin e Kuvendit të RMV-së, Af...
Nesër nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pje...