Kuvendi mban seancë, Haradinaj në interpelancë para deputetëve

07:00 | 25 Janar 2018
Arbresh.info

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbaj seancën plenare në të cilën do të shqyrtojë pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 14 dhjetor 2017.

Fillimisht do të votohet Raporti i Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016 dhe do të shqyrtohet Raporti i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2016.

Po ashtu, do të shqyrtohet edhe kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2018.

Po në këtë seancë pritet formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa.

Pas përfundimit të këtyre pikave, Kuvendi do të fillojë seancën e re plenare. Pas pikave të zakonshme të rendit të ditës, deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të zhvillohet interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për ta informuar Kuvendin në lidhje me gjuajtje me armë nga Dardan Gashi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Më pas, pritet të shqyrtohet Propozim-rezoluta për miratimin e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm – Agjenda 2030 për Kosovën, si dhe Projekt Kodi i Drejtësisë për të Mitur.

Punimet e Kuvendit do të vijojnë me shqyrtimin për herë të parë të gjashtë projektligjeve: Projektligjit për kontrollin e brendshëm të financave publike, Projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 04/L-115 dhe Ligjin 05/L-080, Projektligjit për azil, si dhe Projektligjit për standardizim.

Po ashtu, do të shqyrtohet edhe Raporti i Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2016, si dhe ai i Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2016.

Në vazhdim, deputetët do të shqyrtojnë Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovës 2017-2026, si dhe pritet të zgjedhin një kandidat për anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe pesë zëvendës të Avokatit të Popullit.

 

Seanca pritet të përmbyllet me propozimin e grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në komisione parlamentare, si dhe propozimin për emërimin e tre anëtarëve në Komisionin për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme