Google ADS

Kuvendi jep detaje për vizitën e Konjufcës në Gjermani

17:46 | 11 Tetor 2023
E.G

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli, bashkëpunëtorët e tjerë dhe nga ambasadori i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, ka realizuar vizitë zyrtare në Gjermani.

Gjatë qëndrimit të tij në Berlin,  Konjufca është pritur nga drejtues të lartë të shtetit gjerman dhe po ashtu ka takuar bashkatdhetarë që jetojnë në Gjermani, përcjell Arbresh.info.

Kreu i Kuvendit të Kosovës ka zhvilluar një takim të veçantë me Presidenten e Bundestagut Gjerman, Bärbel Bas, me të cilën ka diskutuar për çështje të rëndësishme, me orientim në kahjen që partneriteti i ngushtë e i palëkundur nëpër vite midis Kosovës dhe Gjermanisë të thellohet më tej në drejtim të zhvillimit të interesave dhe synimeve tona të përbashkëta.

Konjufca ka falënderuar homologen e tij gjermane për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë gjithnjë Republikës së Kosovës që nga themelimi i saj, por edhe më herët se kaq, si dhe për qëndrimet e qarta të Gjermanisë sa i përket sulmit terrorist në Banjskë.

Duke e njohur presidenten e Bundestagut me sukseset që Kosova ka shënuar sa u përket treguesve të demokracisë në vend, kryetari Glauk Konjufca ka potencuar nevojën për shkëmbimin e mëtejshëm të përvojave parlamentare dhe ekstraparlamentare sa i përket rritjes së kapaciteteve demokratike.

Presidentja e Bundestagut gjerman, Bärbel Bas, ka konfirmuar se mbështetja diplomatike, partneriteti dhe bashkëpunimi i gjithanshëm midis dy vendeve do të vazhdojë edhe më tutje.

Në vazhdim të vizitës në Gjermani, kryeparlamentari Konjufca ka zhvilluar takime të veçanta edhe me drejtues të komisioneve të ndryshme të Bundestagut.

Kështu,ai është pritur nga Kryesuesi i Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut Gjerman, Michael Roth dhe nga anëtarët e këtij komisioni, Michelle Müntefering, Adis Ahmetovic, Jürgen Hardt, Peter Beyer, Thomas Hacker dhe Boris Mijatović, nga Komisioni i Mbrojtjes, i kryesuar nga Marie-Agnes Strack-Zimmermann, si dhe nga kryetari i Komisionit për Çështjet Evropiane, Anton Hofreiter dhe anëtarë të tjerë të këtij komisioni.

Gjatë këtyre takimeve ai ka ka shprehur falënderimin e tij dhe të Republikës së Kosovës për rolin mbështetës dhe shumë të rëndësishëm të Gjermanisë për vendin tonë në periudha dhe rrethana të ndryshme.

Tutje, ai ka njoftuar ligjvënësit gjermanë lidhur me gjendjen e sigurisë në Kosovë, veçanërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, përderisa ka shprehur shqetësimin e institucioneve të Kosovës për rrezikun e përsëritjes së një skenari të tillë me përmasa akoma më të mëdha, nëse bashkësia ndërkombëtare nuk e dënon me ashpërsi dhe konkretësi rolin e Serbisë në këtë cenim të sovranitetit dhe sigurisë të Republikës së Kosovës. Z. Konjufca ka veçuar reagimin e Gjermanisë në dënimin e këtij tentim-invazioni të Serbisë kundrejt Kosovës.

Konjufca është shprehur mirënjohës edhe për kontributin e Berlinit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës në proceset integruese evropiane, liberalizimit të vizave, ekonomisë dhe energjisë së qëndrueshme.

“Kosova gjithnjë është e hapur për thellimin e bashkëpunimit me Gjermaninë, partnerit tonë të pazëvendësueshëm, me një rol qendror në Bashkimin Evropian ku vendi ynë natyrshëm dhe pashmangshëm aspiron të integrohet”, theksoi ai./Arbresh.info./

 

Të ngjashme