Kuvendi i Kosovës me katër muaj vonesë, pritet që këtë të martë ta shqyrtoi dhe miratoi agjendën legjislative për vitin 2017, të cilën është dashur ta miratoi në fillim të vitit.
Monitoruesit e punës së Kuvendit e quajnë qasje jo serioze dhe mosefikasitet të legjislativit, vonesat e mosmiratimit të agjendës legjislative. Derisa deputetët e pozitës dhe opozitës e pranojnë se janë vonuar dhe se Kuvendi nuk po mund ta përmbush planin e paraparë.
Jo efikas, organi më i lartë ligjvënës u tregua edhe vitin e kaluar, pasi kishte përmbushur vetëm një të tretën e agjendës legjislative, ani pse nuk e kishte të miratuar një të tillë.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj e pranon se janë të vonuar në shqyrtimin dhe miratimin e agjendës legjislative, por thotë se efektiviteti i punës së Kuvendit nuk varet edhe aq shumë nga miratimi i agjendës, ndonëse është obligim me rregulloren e punës së Kuvendit.
“Është natyrë e punës së Kuvendit, është e paraparë edhe me rregulloren e punës. Punët janë përditshmëri edhe e detyrimit ligjor të mbikëqyrjes parlamentare, por është praktikë e mirë hartimi apo miratimi i agjendës legjislative për çdo vit kalendarik. Ne jemi pak të vonuar në këtë proces, por sido që të jetë janë ligje të bartura, janë ligje në procedurë dhe të cilat vijnë, pavarësisht miratimit të agjendës apo mos miratimit të saj. Do të thotë kjo nuk është ndonjë pengesë në kryerjen e punës dhe detyrave që i parashtrohen Kuvendit të Kosovës”, tha Zemaj.
Deputeti i LDK-së, thekson se ka krijuar keqkuptime kërkesa për numra, meqë sipas tij, efektiviteti dhe impaktri i ligjeve në shoqëri duhet të shikohet.
Vetkritikë janë edhe deputetët e opozitës. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thotë për KosovaPress se ka kohë që deputetët po tregohen të papërgjegjshëm karshi detyrave të tyre.
Ajo thekson se sikurse vitin e kaluar që nuk ka arritur ta përmbush agjendën legjislative, as këtë vit, Kuvendi nuk pritet ta bëjë një gjë të tillë, duke pasur parasysh ndërprerjen e shpeshtë të seancave për mungesë kuorumi.
“Sa i përket strategjisë legjislative të vitit të kaluar, është thënë edhe nga shoqëria civile, e kemi thënë edhe ne si opozitë, ajo agjendë as gjysma e asaj nuk është arritur të përmbushet. Shpesh nga shoqëria civile edhe mediat fajin për këtë ia kanë hedhur Kuvendit, natyrisht se përgjegjësi bartë edhe Kuvendi për shkak se si institucion e kemi për detyrë që ta ndërgjegjësojmë Qeverinë, mirëpo, përgjegjësia më e madhe bie mbi Qeverinë…Çfarë është problem në këtë mes, është fakti se agjenda legjislative për vitin që jemi tani po tentohet që të votohet në muajin prill, në fakt kjo agjendë është dashur të diskutohet dhe të shqyrtohet në muajin janar”, tha Haxhiu.
Madje, në këtë agjendë legjislative, 90 përqind e ligjeve janë në plotësim ndryshim. E këtë fakt, deputetja Haxhiu thotë se ata si grup e kundërshtojnë, pasi kjo dëshmon se ligjet nuk po hartohen mirë dhe nuk po mbikëqyren në zbatim.
Shoqëria civile thotë se kjo legjislaturë secilin vit po shkon duke humbur përformancën në miratimin e ligjit, çka do të ndikojë në fund të vitit me arritjen e përmbushjes së agjendës legjislative.
Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës që bënë monitorimin e punës së Kuvendit, thotë për KosovaPress, se Kuvendi është vonuar në miratimin e agjendës legjislative, meqë kjo është dashur të bëhet në janar.
Sipas tij, Qeveria në këtë aspekt është më e saktë, se sa Kuvendi, pavarësisht se Kuvendi varet shumë nga ligjet që dërgon Qeveria, meqë deputet nuk marrin iniciativa që vet si legjislativ të hartojnë projektligje.
“Mirëpo prapë se prapë Qeveria është dukshëm më e saktë në këtë proces, për shkak se Qeveria ka miratuar agjendën e vet legjislative qysh në fillim të vitit, kurse tani jemi në fund të muajit prill dhe Kuvendi akoma nuk e ka një plan. Pra po përfundon gjysma e sesionit vjetor të Kuvendit, është sesioni kryesor ku duhej të kishte një planifikim dhe nisje e punëve dhe Kuvendi nuk është askund në këtë proces”, shton ai.
Krasniqi thotë se mos efikas Kuvendi ishte edhe në vitin e kaluar, pasi nuk kishte arritur të përmbushte as gjysmën e agjendës legjislative, ani se një të tillë nuk e kishte miratuar fare.
“Miratimi i një plani të punës nga ana e Kuvendit është një obligim që duhet të kryhet me anë të rregullores së Kuvendit dhe vlen të theksohet se vitin e kaluar Kuvendi nuk ka miratuar fare një plan të punës, por kanë qenë vetëm komisionet parlamentare ato që kanë pasur një plan, çka na bënë të konkludojmë se Kuvendi ka kryer punë pa një planifikim të mirë dhe kjo ka rezultuar me një përmbushje shumë të dobët edhe të planeve të komisioneve parlamentare. Nga ajo që ne kemi bërë vlerësimin ka dal që rreth 1/3 e planit është përmbushur në vitin e kaluar”, theksoi Krasniqi.
Sipas Krasniqit, një pikë ku duhet të fokusohet Kuvendi më shumë është padyshim mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve, pasi projektligjet që shkojnë për plotësim ndryshim është si rezultat nuk kanë një shqyrtim të mirë, të detajuar nga deputetët dhe si rrjedhojë e kësaj dalin ligje të dobëta që duhet të plotësohen dhe ndryshohen vazhdimisht./Arbresh.info/
Parashikimi i motit për sot në Shqipëri
Kumbaro: Shqipëria synon turizëm elitar me gjithë sfidat
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Kurti sot pret në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë s...
Konjufca sot pret në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonis...