Kuvendi i Shqipërisë do ta votojë sot rezolutën kundër pretendimeve të Dick Martyt

08:23 | 21 Korrik 2022
A Z

Kuvendi i Shqipërisë sot pritet ta votojë një “Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.

Kjo çështje në krye të rendit të ditës së seancës së sotme plenare, që pritet të nis në orën 10:00.

Më 18 korrik PS deponoi në Kuvendin e Shqipërisë një propozim për një “Rezolutë” dhe tekstin e rezolutës me të cilën Shqipëria do të hedhë poshtë pretendimet për trafikim organesh.

Para një muaji, pas mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, Rama kishte paralajmëruar për nisjen e një fushate që do të përfshijë Uashingtonin, Parisin, Berlinin e qendra tjera të botës, për të dokumentuar se Ushtria Clirimtare e Kosovës s’ka qenë e përfshirë në trafikim organesh.

Në propozimin për rezolutë të cilën e kanë iniciar deputetët e PS’së Taulant Balla, Mimi Kodheli, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj, Blendi Klosi, Etjen Xhafaj, Petro Koci, Hatixhe Konomi, Bardhyl Kollcaku, Ilir Pendavinji e Arben Pëllumbi thuhet se PS beson se do të ketë “mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë” dhe se me këtë projekt rezolutë synohet të vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën.

Në tekstin e projekt-rezolutës që pritet të votohet thuhet se hetimet e thelluara rreth pohimeve të Dick Martyt për trafikim organesh mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara, prandaj theksohet se të tilla duhet të konsiderohen edhe nga ndërkombëtarët.

“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë konstaton se, pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, pika 1 dhe pika 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare”, thuhet ndër tjerash në projekt-rezolutë./abcnews

Të ngjashme