Kuvendi i Kosovës, fyerje, mashtrime e politikë ?!

18:12 | 2 Janar 2018
Arbresh.info

Deputeti nga radhët e PDK-së, Nait Hasani në një intervistë për portalin Arbresh.info ka treguar se a e ka merituar që të zgjidhet sërish deputet. Ai ka folur për temat që ka qenë më i zëshëm në Kuvend, për fyerjet dhe gënjeshtrat që thuhen në Kuvend. Ndër të tjera Hasani ka treguar se për çfarë është penduar në jetë dhe se çka i ka mbetur ende pa bërë.

Arbresh.info: Sa mendoni se keni bërë për qytetarët që iu zgjodhën prapë deputet në këtë legjislaturë?

Nait Hasani:  Qëndrimi im në Kuvend ka  qenë që nga  fillimi, kur kam  filluar si  deputet ne 2004 e deri me  sot, ka  qenë konstant në krijimit e mbrojtjes së shtetit të Kosovës. Unë kam bërë përpjekje të miratoj ligje në të mirën e qytetarëve që ju lehtëson jetën në Kosovë. Unë kam kundërshtuar dhe ligje  që kanë qenë  në  dëm të Kosovës  e qytetarëve të Kosovës ,ligje këto që ua bëjnë  jetën më të rëndë apo e bllokojnë Kosovën në zhvillime ekonomike e politike. Kam kundërshtuar dhe paketën e Ahtisaarit për pavarësi të kushtëzuar, sepse kam thënë  atëherë e paralizon  Kosovën, e ngulfat  politikisht e ekonomikisht. Kam kundërshtuar dhe bisedimet e Grupit të Unitetit në Vjenë, sepse kanë shkuar të papërgatitur për çështje thelbësore e në shumë raste  as që kanë ditur çka po nënshkruajnë, e që sot po dalin pasojat e atyre bisedimeve të papërgatitura e të papërgjegjshme. Në këtë  mendoj se qytetarët  e kanë parë qëndrimin tim në mbrojtjen e shtetit dhe përmirësimin e jetës  së tyre duke i tejkaluar edhe qëndrimet partiake,më kanë vlerësuar si deputet  dhe përsëri  me votën e tyre jam në Kuvend, në mbrojtjen  e shtetit  dhe të zhvillimit e përmirësimit të jetës së qytetarëve në Kosovë.

Arbresh.info: Për cilën ‘temë’ keni qenë më i zëshëm sa i përket punës në Kuvend?

Nait Hasani: Unë kam ngritë tema të ndryshme në Kuvend. Kam ngritë mbrojtjen e punëtorëve nga  deninigrimi i Eulexit që u bënë aty punëtorëve  shqiptarë. Kam ngritë tema për arsimin në Kosovë, gjendjen e rëndë në arsim, kam ngritë tema për krimet e luftës në Kosovë që i ka bërë Serbia si  shtet. Kam qenë i zëshëm kundër Gjykatës Speciale, kundër asociacionit, kam qenë i zëshëm  edhe kundër demarkacionit. Kam ngritë edhe tema tjera dhe kam qenë i zëshëm në mbrojtje të interesave shtetërore.

Arbresh.info: Kuvendi i Kosovës, ambient fyerjesh apo gënjeshtrash ndaj njëri-tjetrit?

Nait Hasani: Kuvendi  i Kosovës  është si çdo Kuvend tjetër në rajon apo në Evropë e gjetiu. Këto ndodhin si rezultat i mbrojtjes së interesave partiake dhe të grupeve politike. Kur këto janë në të mirë  të qytetarëve dhe të shtetit  janë  gjë  e mirë por, ka raste dhe nuk kanë dal interesa në të mirë të shtetit e të qytetarëve. Rastet të tilla ka plotë si bisedimet me Serbinë që po mendohet se do të kenë të mira për qytetarët  e Kosovës. Ato janë ende pa rezultate, sepse nga  aspekte teknike  kaluan në bisedime politike, që e dëmtuan dhe po e dëmtojnë  shtetin e Kosovës.  Unë  mendoj se përmirësimi  i jetës së qytetarëve është interes i deputetëve dhe Kuvendit të Kosovës, por debatet me fyerje janë pasqyrë e përgatitjes  politike e profesionale të deputetëve në mbrojtjen e interesave  të shtetit. Ka fyerje dhe politikë, ka  dhe mashtrime, ka dhe fyerje të skajshme personale, ka dhe deklarime me shantazhe nga partia në parti tjetër,  pastaj bëjnë koalicione thuajse s’ka ndodhur  asgjë. Kjo tregon interesat e ngushta politike të kryetarëve të partive vetëm për të qenë në pushtet. Kjo e ka bërë Kuvendin institucion interesant të menaxhimit politik.

Arbresh.info: A je penduar për diçka në jetë?

Nait Hasani: Zoti të fal kur pendohesh për gabime, nëse kë bërë në jetë dhe kërkon  falje. Unë nuk kam bërë gabime për të kërkuar falje, jam munduar të punoj me përgjegjësi në mbrojtje të interesave të shtetit dhe avancimin e shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Jeta ka sfida dhe në sfidat e jetës ende nuk kam hasur në pendim.

Arbresh.info: A të ka mbetur ndonjë gjë pa e realizuar deri më tani?

Nait Hasani: Po në jetë ka shumë gjëra që ende nuk i kam realizuar, po  ato do të realizohen me  kohën në proces të zhvillimit e ndërtimit të shtetit dhe të familjes. Më ka mbetur pa e kryer, që emblemën e UÇK-së,  shtatoren e Adem Jasharit t’i  vendos në Prishtinë. Shpresoj në këtë vit, me 2018 do ta kemi përball institucioneve të shtetit shtatoren e Ademi Jasharit, e cila Prishtinës do t’i jap fuqinë e luftës për liri, dhe fuqinë politike. Po ashtu kjo shtatore do ta kthej kujtesën, imazhin e thirrjes ‘’Drenicë jem me ty‘’, atëherë kur krejt Kosova ishte me Drenicën dhe për lirinë e çlirimin e Kosovës./Valdete Berisha/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme