Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, kanë nënshkruar sot në Tiranë Memorandumin e Bashkëpunimit midis dy parlamenteve, i cili ka për qëllim krijimin e një kuadri të përbashkët për bashkëpunimin dhe mbështetjen midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në një adresim të përbashkët për media në ambiente të Kuvendit të Shqipërisë, pas nënshkrimit të memorandumit, kryetarët Konjufca dhe Nikolla theksuan rëndësinë e këtij dokumenti, nëpërmjet të cilit synohet rritja e cilësisë së aktivitetit parlamentar në përputhje me praktikat më të mira evropiane, forcimi i bashkëpunimit midis dy kuvendeve për çështje që kanë të bëjnë me proceset e integrimit në BE, përfaqësimit në organizatat ndërkombëtare dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.
Duke falënderuar kryetaren Nikolla për pritjen e ngrohtë, kryetari Glauk Konjufca vlerësoi kontributin dhe rolin e kryetares Nikolla në mbrojtje dhe afirmim të interesave dhe iniciativave të Kosovës në të gjitha instancat ndërkombëtare, me theks të veçantë për lobimin lidhur me procesin e liberalizimit të vizave.
“Të gjitha institucionet e shtetit shqiptar i kanë qëndruar pranë shtetit të Kosovës, sepse ne jemi dy shtete, por po aq saktë e dimë që jemi popull me një interes të përbashkët”, theksoi kryetari Konjufca, thuhet në njoftim.
Kreu i Kuvendit tha se bashkëpunimi dhe arritjet janë të thella, por edhe sfidat nuk janë të vogla. Ai tha se pas shkurtit të këtij vitit bota është më e pasigurt se më parë, por njëkohësisht agresioni i papranueshëm i Rusisë mbi popullin e Ukrainës ka nxitur si kurrë më parë unitetin e botës demokratike, dhe rreshtimin e fuqishëm kah vlerat e botës së lirë, duke përfshirë edhe Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës.
Duke folur për raportet me Serbinë, kryetari i Kuvendit tha se Serbia e Vuçiqit nuk ka ndryshuar në drejtimin politik prej kohës së Milosheviqit, por i ka ndryshuar vetëm mjetet. Konjufca tha se çdo shqiptar duhet ta dijë se Serbia është shumë armiqësore ndaj Republikës së Kosovës, zgjedhje kjo e elitës politike shtetërore serbe, e cila e mohon dhe e lufton pavarësinë e Kosovës me çdo mjet që e ka në dorë.
Ai tha se në muajt e fundit u pa presidenti serb nuk heziton fare të sfidojë kornizën e sigurisë në Ballkan dhe në Evropë, nëpërmjet kërcënimit të Kosovës dhe dërgimit edhe të trupave të armatosura, të kontrolluara prej Serbisë, brenda territorit të Republikës së Kosovës.
“Ne dëshirojmë që me Shqipërinë të jemi brenda një kornize dhe frekuencave të njëjta sa i përket gjykimit të veprimtarisë së Serbisë brenda Kosovës, sepse Republika e Kosovës nuk ka rrugë tjetër përveç se t’i mbrojë deri në fund interesat e veta shtetërore karshi Serbisë. Ne jemi për paqe dhe dialog me Serbinë, por në të njëjtën kohë nuk do të lëshojmë pe sa i përket interesave kushtetuese nacionale dhe të panegociueshme të Republikës së Kosovës”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.
I pari i legjislativit tha se Kosova i gëzohet çdo arritjeje dhe suksesi të Republikës së Shqipërisë, siç ishte hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria edhe Kosova i përkasin të njëjtin oborr të vlerave demokratike e synimi ynë është që të bashkohemi duke qenë pjesë e Bashkimit Evropian”, theksoi kryetari Konjufca.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla tha se takimi me delegacionin e Kuvendit të Kosovës ishte rikonfirmim i bashkëpunimit të shkëlqyer e vëllazëror midis dy vendeve dhe kuvendeve respektive.
Ajo tha se bashkëpunimi intensiv dhe produktiv midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, gjatë kësaj legjislature është konkretizuar me 18 vizita pune në Prishtinë dhe Tiranë, si dhe në tryezën e kryetarëve të komisioneve parlamentare.
“Bashkë me kryetarin Konjufca dhe Kryesinë e Kuvendit të Kosovës ramë dakord që shkëmbimet, vizitat dhe organizimi i tryezave të përbashkëta të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ky bashkëpunim prej ditës së sotme do të mbështetet edhe në Memorandumin e Bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, që së bashku me kryetarin Konjufca nënshkruam. Sot diskutuam edhe për organizimin e mbledhjes së përbashkët ndërmjet dy kuvendeve në muajin nëntor, në kuadër të 110-vjetorit të pavarësisë”, theksoi kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë.
Kryetarja Nikolla po ashtu bëri të ditur se teksti i rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri, të miratuar më 21 korrik 2022, i është përcjell zyrtarisht Këshillit të Evropës.
Duke rikonfirmuar mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, kryetarja Nikolla tha se Kuvendi i Shqipërisë vlerëson qëndrimet e matura dhe korrekte të institucioneve të Kosovës, si dhe progresin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe të gjitha arritjet në planin e brendshëm dhe të jashtëm.
Në bazë të memorandumit, bashkëpunimi midis dy parlamenteve do të fokusohet në fusha me interes të përbashkët strategjik, siç është bashkëpunimi në procesin legjislativ për përafrimin e legjislacionit të dy vendeve dhe të secilit vend me legjislacionin e BE-së. Për këtë qëllim, parashihet organizimi në mënyrë periodike i Tryezës së Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare, ku do të bashkërendohet agjenda dhe veprimet mes komisioneve parlamentare për çështje me interes të përbashkët.
Gjithashtu parashihet mbështetje në fushën e diplomacisë parlamentare dhe shkëmbimi i përvojave në fushën e edukimit qytetar e të marrëdhënieve me publikun.
Gjatë vizitës në Tiranë, kryetari Konjufca po shoqërohet nga nënkryetarët e Kuvendit, Enver Hoxhaj dhe Bekim Arifi, shefi i kabinetit, Ilir Kërçeli dhe sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi. /arbresh.info/
Moti sot me diell dhe pjesërisht i vranët
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?