Kuvajti e Iraku, vendet e mundshme ku do të dërgohet FSK-ja

13:25 | 6 Janar 2021
Arbresh.info

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Kuvajti dhe Iraku janë vendet ku Forca e Sigurisë së Kosovës do të mund të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse, në kuadër të misionit të Gardës Kombëtare të Ajovas, të Ushtrisë Amerikane. Ai e konfirmoi këtë pas një vizite që i bëri FSK-së.

Hoti tha se këto vende kanë qenë si opsione që janë shqyrtuar dhe se tani pritet konfirmimi zyrtar. Sipas tij, FSK-ja mund të dërgohet në këto misione në muajin mars. Të martën, Kuvendi i Kosovës miratoi vendimin e qeverisë për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, shkruan Arbresh.info.

Me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët dhanë miratimin për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione paqeruajtëse, në kuadër të Forcës Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës.

Përmes një reagimi të mërkurën, Ambasada Amerikanë në Prishtinë ka thënë se votimi unanim i Kuvendit për lejimin që Forca e Sigurisë së Kosovë të ketë partneritet më Ushtrinë e SHBA-së në misionet e ardhshme paqeruajtëse, demostron se Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj të përbashkët për paqen dhe sigurinë në botë.

Më 31 dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës. Ky vendim më pas i ishte dërguar Kuvendit të Kosovës.

FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit.

Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forca të armatosura.

Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës të zgjasë dhjetë vjet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme