Google ADS

Kushtetuesja vendos: Zgjedhja e kryetarit të Supremes kthehet në pikën zero

16:11 | 9 Qershor 2017
L G

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendimin e saj rreth kërkesës së gjyqtares Valdete Daka kundër vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës  për zgjedhjen e Enver Pecit në krye të Gjykatës Supremes.

Burime të “Arbresh.info” bëjnë të ditur se në vendimin e saj, Kushtetuesja ka vendosur që të përmirësohet vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës i datës 06.03.2017, ku Peci është zgjedh kryetar i Supremes.

Po ashtu, sipas burimeve të “Arbresh.info” në vendimin e Kushtetueses thuhet se “ Gjykata obligon Këshillin Gjyqësor të veprojë sipas meritave të komisionit vlerësues, ose në të kundërtën  i hap rrugë anulimit të konkursit dhe kthimit të zgjedhjes së kreut të Supremes në pikën zero.

Daka kishte dalë e para me pikë nga Komisioni për Vlerësimin dhe Intervistim të kandidatëve  i formuar nga KGJK.

Arbresh.info mëson se ky vendim i kushtetueses pritet të bëhet publik shumë shpejt.

Ndërsa të kontaktuar nga Arbresh.info, zyrtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë pohuar se gjykata ende nuk ka vendosur për këtë rast.

“Kjo lëndë është ende në fazën e shqyrtimit”, ka thënë drejtori i zyrës për komunikim dhe informim i kësaj gjykate, Veton Dula.

Ndryshe muajin e kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vazhduar masën e pezullimit të emërimit të Enver Pecit si kryetar i Gjykatës Supreme.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të vazhdojë masën e pezullimit të postit të Pecit deri në qershor.

Gjyqtarja Valdete Daka më 16 mars kishte deponuar kërkesën e  saj kundër vendimit të KGJK-së në Gjykatën Kushtetuese  të Kosovës disa javë pasi KGJK kishte votuar Enver Pecin për kryetar të Gjykatës Supreme.

Daka e kishte cilësuar si shkelje faktin se gjatë numërimit të votave, ishin numëruar edhe votat e abstenimit, të cilat sipas saj nuk numërohen./ Arbresh.info/ Gita Lushi

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme