Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar vendimin e plotë, me të cilin kërkesat e parashtruara nga Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti, që të dy kandidatë për Kryeprokurorë të Shtetit, të cilët kanë kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për propozimin e Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, i ka shpallur të papranueshme.
Në vendimin e Kushtetueses thuhet se kjo gjykatë vendosi t’i shpallë të papranueshme këto kërkesa, me arsyetimin se parashtuesit nuk i kanë shtetur të gjitha mjetet juridike, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat e bashkuara në rastet KI 57/22, parashtruar nga Shqipdon Fazliu dhe KI 79/22, parashtruar nga Armend Hamiti, që të dy kandidatë për Kryeprokurorë të Shtetit të Republikës së Kosovës, të cilët e kontestojnë kushtetutshmërinë e Vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e z. Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Gjykata, vendosi që kërkesat përkatëse t’i shpallë të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Tutje thuhet se në këtë rast, gjykata fillimisht shtjelloi dhe më pas aplikoi në rrethanat e rasteve konkrete, parimet e përgjithshme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNJ), sa i takon shterimit të mjeteve juridike.
“Në vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesave të parashtruesve, Gjykata, së pari, theksoi se nuk është kontestuese që të njëjtit i janë drejtuar Gjykatës pa shteruar asnjë mjet juridik, siç është përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës. Për pasojë, dhe për të vlerësuar nëse parashtruesit e kërkesave plotësojnë kriteret për t’u liruar nga ky detyrim kushtetues, Gjykata fillimisht shtjelloi dhe më pas aplikoi në rrethanat e rasteve konkrete (i) parimet e përgjithshme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës, për sa i takon shterimit të mjeteve juridike; (ii) praktikën relevante gjyqësore të Gjykatës që ndërlidhet me kontestimin e vendimeve të Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor, por edhe autoriteteve tjera publike, vendimet e të cilave janë kontestuar në kuptim të përzgjedhjes ose jo në funksione të caktuara publike; si dhe (iii) parimet relevante të shtjelluara nëpërmjet opinioneve të Komisionit të Venecias”, thuhet tutje.
Kushtetuesja thotë se bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj, kriteri i shterimit të mjeteve juridike nuk mund të aplikohet në mënyrë tejet formaliste, por mund të ketë përjashtime vetëm nëse palët përkatëse bazuar në parimin e barrës së provës, argumentojnë para gjykatës se nuk ekziston mjeti juridik ose në të kundërtën, të argumentojnë se mjeti ekzistues juridik nuk është efektiv.
“Në kontekst të të lartcekurave, Gjykata theksoi se bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kriteri i shterimit të mjeteve juridike, nuk mund të aplikohet në mënyrë tejet formaliste dhe rrjedhimisht, mund të ketë përjashtime, por vetëm nëse palët përkatëse, bazuar në parimin e barrës së provës, argumentojnë para Gjykatës se nuk ekziston mjeti juridik ose në të kundërtën, të argumentojnë se mjeti ekzistues juridik nuk është efektiv sepse (i) nuk është në “dispozicion dhe i qasshëm”; dhe (ii) nuk është “mjaftueshëm i sigurt jo vetëm në teori, por edhe në praktikë”. Për më tepër, bazuar në të njëjtën praktikë gjyqësore, parashtruesit përkatës duhet të argumentojnë që “kanë bërë gjithçka që mund të pritet në mënyrë të arsyeshme nga ata që të shterojnë mjetet juridike”, duke marrë parasysh se “dyshimet e thjeshta” të një parashtruesi rreth joefektivitetin të një mjeti juridik, nuk vlejnë si arsye për ta liruar nga detyrimet kushtetuese”, vazhdon vendimi.
Po ashtu, thuhet se në aplikimin e këtyre kritereve në rrethanat e rasteve konkrete, gjykata theksoi se mjeti juridik ekziston dhe se të njëjtit i është referuar gjykata në mënyrë të vazhdueshme.
“Në aplikimin e këtyre e kritereve në rrethanat e rasteve konkrete, Gjykata theksoi se (i) mjeti juridik ekziston dhe është i përcaktuar në Ligjin për Konflikte Administrative, dhe se të njëjtit, Gjykata, përmes praktikës së saj gjyqësore, i është referuar në mënyrë të vazhdueshme; dhe (ii) parashtruesit e kërkesave nuk kanë parashtruar asnjë argument në plotësim të kritereve të lartcekura, përkatësisht lidhur me “disponueshmërinë”, “qasshmërinë” dhe “sigurinë e mjaftueshme në teori dhe praktikë”, kritere këto që burojnë nga praktika gjyqësore e Gjykatës dhe e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata, ndër tjerash, sqaroi se (i) fakti që Ligji për Këshillin Prokurorial mund të mos ketë përcaktuar mjet specifik juridik, nuk përjashton aplikueshmërinë e normave tjera juridike, përfshirë Ligjin për Konflikte Administrative; dhe (ii) referimi në ngarkesën me lëndë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, nuk mund të lirojë një parashtrues të një kërkese individuale nga një detyrim kushtetues, sepse një pretendim i tillë, për më tepër i paargumentuar përmes praktikës relevante gjyqësore, kualifikohet si “dyshim i thjeshtë” përkitazi me mungesën e pretenduar të efikasitetit të mjetit juridik”, thuhet në këtë vendim.
Kushtetuesja vlerëson se argumenti kryesor i parashtruesve të kërkesave mbi bazën e të cilit pretendojnë lirimin nga detyrimi i plotësimit të kritereve kushtetuese, është referenca në praktikën gjyqësore të gjykatës, përkatësisht në aktgjykimin KI 99/14 dhe KI 100.14.
“Gjykata nënvizoi se, argumenti kryesor i parashtruesve të kërkesave mbi bazën e të cilit pretendojnë lirimin nga detyrimi i plotësimit të kritereve kushtetuese, është referenca në praktikën gjyqësore të Gjykatës, përkatësisht në Aktgjykimin KI 99/14 dhe KI 100/14, përmes të cilit në vitin 2014, Gjykata, përjashtimisht dhe duke u referuar në rrethanat e rastit përkatës, kishte liruar parashtruesit e kërkesës nga detyrimi për shterimin e mjeteve juridike dhe kishte vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit për propozimin e Kryeprokurorit të Shtetit, duke konstatuar jokushtetutshmërinë e të njëjtit. Gjykata gjithashtu nënvizoi se, ngjashëm edhe në dy Aktgjykime tjera, përkatësisht Aktgjykimet KI 34/17 dhe KI 55/17, kishte liruar parashtrueset përkatëse nga detyrimi për shterimin e mjeteve juridike dhe kishte vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimeve përkatëse për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit, respektivisht. Gjykata tutje theksoi se, në kontekst të kontrollit individual, nuk ka asnjë rast tjetër në praktikën e saj gjyqësore në të cilin janë bërë përjashtime të tilla, jo vetëm në vlerësimin e akteve të Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor, por as akteve të pushtetit ekzekutiv e legjislativ, në kuptim të vendimeve për përzgjedhje, emërim ose propozim në funksione publike”, thuhet në vazhdim.
Gjithashtu, gjykata thekson se referenca në rastin KI 99/14 dhe KI 100/14, nuk nënkupton të drejtën e fituar për lirim nga detyrimi kushtetues për shterimin e mjeteve juridike, sepse praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe e Gjykatës, qartësisht përcaktojnë se vlerësimi për lirimin nga detyrimi për shterimin e mjeteve juridike bëhet në secilin rast veç e veç bazuar në kriteret e lartcekura përkitazi me efektivitetin e mjetit juridik dhe parimin e barrës së të provuarit.
“Në këtë kontekst dhe në funksion të konsolidimit të praktikës së saj gjyqësore dhe parimit të sigurisë juridike, kjo Gjykatë, bazuar në formulimin e qartë të paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, i cili kërkon shterimin e mjeteve juridike për të gjithë individët pa përjashtim, theksoi se e konsideron të domosdoshme të sqaroi se natyra apo rëndësia e një funksioni publik të mbajtur apo të synuar, nuk mund të qëndrojë si argument i vetëm dhe i izoluar, mbi bazën e të cilit mund të bëhet lirimi nga detyrimi për shterimin e mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Gjykata më tej sqaroi se, një qasje e tillë nuk gjen mbështetje as në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe as në Opinionet e Komisionit të Venecias. Në të kundërtën, do të rezultonte se mjetet juridike të përcaktuara përmes ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës do të ishin efektive ose jo varësisht nga funksionet që individët kanë mbajtur ose synojnë të mbajnë dhe jo nga plotësimi ose jo i kritereve të përcaktuara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me efektivitetin e një mjeti juridik. Një qasje e tillë do të rezultonte në trajtim të pabarabartë të individëve që kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës përmes kërkesave individuale, siç është saktësuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës”, thuhet në vendim.
Ndryshe, më 28 prill 2022, avokati i Fazliut, Flakron Sylejmani kishte njoftuar publikun se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit.
Ndryshe, KPK në mbledhjen e 214-të, me votim unanim ka caktuar prokurorin Besim Kelmendi, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.
Kjo zgjedhje e Kelmendit ishte bërë pas përfundimit të mandatit kushtetues 7-vjeçar të Kryeprokurorit të deritanishëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ishte emëruar në këtë pozitë më 21 prill 2015.
Ndryshe, më 6 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) votoi unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë, kurse vendimi për dekretim tani mbetet në duart e presidentes Vjosa Osmani.
Ky proces ka shkaktuar reagime të shumta, ku koalicioni i OJQ-ve: IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin për emërimin e Isufajt si Kryeprokuror dhe se kanë propozuar që të përsëritet konkursi.
Ndaj këtij procesi kanë reaguar Ambasada Britanike, Ambasada Gjermane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyer me këtë proces.
Ndërsa, presidentja Osmani ka pritur në takim përfaqësuesit e shoqërisë civile, për të diskutuar rreth këtij procesi.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me shtatë vota kundër, një për dhe tre abstenime, më 6 prill 2022 kishte vendosur që të mos e aprovojë raportin me rekomandime të aprovuara pjesërisht nga Komisioni Rishqyrtues.
Një vendim i tillë kishte ardhur pasi Komisioni Rishqyrtues i ka propozuar Këshillit që të aprovojë raportin e tyre me të cilin kishin aprovuar pjesërisht kundërshtimet për poentim të pasaktë të katër kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.
Konkretisht ishin refuzuar kundërshtimet e kandidatëve, Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.
Për këto kundërshtime, Komisioni rishqyrtues kishte gjetur se kundërshtimet e këtyre kandidatëve janë të bazuara pjesërisht vetëm për disa kategori të poentimit, pra për bazën poentim i pasaktë, mirëpo një rekomandim i tillë nuk ishte aprovuat nga KPK.
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale
Kurti: Synimi ynë është që edhe Kosova të marrë pjesë në Eur...
“Çfarëdo që vendosim tani do llogaritet si lojë”, Sara dhe D...
Policia me njoftim për disa gjoba në rajonin e Prishtinës
Manchester United me rekord të zi këtë edicion në Premier Le...