Google ADS

Kushtetuesja po shqyrton vendimin për rritjen e pagave

16:11 | 2 Shkurt 2018
Arbresh.info

Qeveria Kosovës në mbledhjen e djeshme ka pezulluar vendimin për ngritje të pagave të zyrtarëve të saj deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.

Ramush Haradinaj, tha se ky vendim është i motivuar në respekt të institucioneve.

“Në këtë mbledhje propozoj pezullimin e përkohshëm për ngritje të pagave deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese. Për fat të keq pos atyre që janë në këtë tavolinë nga ky vendim preket shumë sistemi i drejtësisë, gjyqësori dhe prokuroria. Vendimi për pezullim është i motivuar në respekt të institucioneve”, tha Haradinaj.

Se kur pritet shpallja e vendimit nga kushtetuesja, Indeksonline ka kontaktuar Zyrën për Informim të Gjykatës.

“Kjo kërkesë tashmë është proceduar dhe regjistruar nga Gjykata, dhe nuk ka ndonjë afat të caktuar ligjor për vendimmarrje në këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim.

Sipas tyre, kërkesa do të shqyrtohet dhe vendimi do të merret në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin mbi Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës.

Në vendimin e marrë nga Qeveria Haradinaj në dhjetor të vitit 2017 thuhet se nga ngritja e pagës përfiton, kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat, këshilltarët dhe stafi mbështetës në kabinetet ministrore.

Kundër këtij vendimi kanë dalë 30 deputetë të Kuvendit të cilët kanë bërë kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij vendimi. Se vendimi pjesërisht është konflikt interesi e ka thënë edhe Agjencia Kundër Korrupsionit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme