Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka pezulluar vendimin e Ministrisë së Financave për faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë.
Kushtetuesja ka vendosur që ky vendim të pezullohet deri më 30 nëntor të këtij viti.
Vendimi është bërë i ditur nga Gjykata Kushtetuese, përmes një njoftimi për media, raporton Arbresh.info.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur përkitazi me kërkesën për masë të përkohshme në rastin KO 177/23, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, i cili ka hyrë në fuqi më 16 gusht 2023. Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit të lartcekur të Kuvendit është parashtruar në Gjykatë nga Komuna e Prizrenit, bazuar në autorizimet e përcaktuara nëpërmjet paragrafit 4 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur të miratohet në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe për pasojë (ii) të pezullohet menjëherë zbatimi i nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimi i vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni deri në afatin e lartcekur”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës më 27 korrik të këtij viti ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.
Me këtë Ligj parashihet edhe falja e tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit deri në lartësinë e faturës, por jo më shumë se 100 euro, për këtë vit, meqë faturat sivjet janë më të shtrenjta shkaku i rivlerësimit të pronave nga Ministria e Financave.
“Kuvendi ka miratuar sot në lexim të dytë plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Pronën e Paluajtshme dhe Projektligjin për Skemat Pensionale. Ligji i ri për Tatimin në Pronën e Paluajtshme parasheh: mundësinë për të përfituar nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në 100 euro; lirime tatimore për banimin primar dhe tokën bujqësore; kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor; zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024; dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025”, thuhej në njoftimin e Kuvendit.
Ndërkohë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte deklaruar se me faljen që do të bëhet, 85 për qind e tatimpaguesve nuk do të paguanin asgjë për këtë vit, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.
/Arbresh.info/
Vendimi i plotë KËTU
LEXO EDHE
Kurti e Nagavci lansojnë nesër pilotimin e Programit të Kupo...
Policia e Kosovës sekuestron armë të ftohta në tregun e auto...
Abdixhiku sjellë Pallatin e Ri Sportiv, Pishinën Olimpike dh...
Shuhet kureshtja, Diana dhe Arioni më të lumtur se kurrë pra...
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli