Partitë nga komunitetet joserbe në Kosovë, përmes disa ankesave të dorëzuara në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), po kërkojnë anulimin e votave të qytetarëve serbë që kanë votuar për partitë boshnjake dhe rome në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Me arsyetimin se kanë argumente të shumta që dëshmojnë orkestrimin e zgjedhjeve, pas dorëzimit të ankesave, përfaqësuesit e këtyre partive thanë se shpresojnë se PZAP-ja dhe Gjykata Supreme të vendosë në favor të tyre.
Por, përkundër këtyre ankesave, drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj thotë për Radion Evropa e Lirë se institucioni që duhet trajtuar këtë rast është Gjykatë Kushtetuese.
Ai thotë se është fakt i ditur devijimi i vullnetit të pakicave në zgjedhjet e 14 shkurtit, porse beson pak se PZAP-ja dhe Gjykata Supreme kanë mundësi të vendosin në favor të ankesës së këtyre partive.
“Në aspektin ligjor, ndoshta është pak problem që PZAP-ja dhe Gjykata Supreme të marrin vendime për shkak se ato vetëm i përcjellin parregullsitë që kanë qenë në proces dhe mund të kthejë në rinumërim apo rivotim”, tha Demhasaj.
“Mendoj se kjo është lëndë më tepër për Gjykatën Kushtetuese sepse ne e dimë në Kushtetutë cili është qëllimi kryesor i vendeve të rezervuara (v.j. garantuara) për komunitetet. Në këtë moment mendoj se ka një devijim të qëllimit sepse qëllimi i këtyre vendeve është që secili komunitet të jetë i përfaqësuar dhe përfaqësimi vjen direkt nga qytetarët që vijnë nga komuniteti i caktuar dhe jo votat që vijnë nga komunitetet e tjera”, shtoi ai.
Gjykata Kushtetuese, opsioni i fundit
Kryetarja e Unioni Socialdemokrat (SDU) nga komuniteti boshnjak, Duda Bale, partia e së cilës nuk fitoi asnjë ulëse në kuvend, nuk e përjashtoi mundësinë që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“Ne jemi duke kërkuar anulimin e votave të serbëve që kanë votuar për boshnjakët”, tha Bale.
Në emër të partive të komuniteteve, rom, ashkali dhe egjiptian, Veton Berisha, tha se PZAP-ja duhet që të marrë parasysh ankesën e tyre, pasi që thotë se kanë dorëzuar dëshmi të mjaftueshme.
“Vota e komuniteteve është e lidhur me përfaqësuesit të cilët zgjedhen nga vetë ai komunitet dhe pretendimi ynë është se dy të zgjedhurit nga ‘Iniciativa Rome’ janë dy të zgjedhur përfaqësues të komuniteti rom, por që janë në 95.5 për qind të zgjedhur nga komuniteti serb”, tha Berisha.
Çështja e orkestrimit të votave nga subjekti politik Lista Serbe u ngrit pak ditë para se të mbaheshin zgjedhjet e 14 shkurtit.
Gjatë fushatës zgjedhore, përfaqësuesit politikë të komuniteteve joserbe ngritën zërin duke thënë se Lista Serbe po organizonte qytetarët në komunat me shumicë serbe që të votojnë për subjekte dhe individë të caktuar nga komunitetet joserbe.
Kjo sipas tyre do të pamundësonte rizgjedhjen e tyre si dhe do të rrezikonte seriozisht përfaqësimin meritor të komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës.
Miftaraj: Le të veprojë PZAP-ja
Përfaqësuesit e partive që u ankuan në PZAP, u ndihmuan nga Qendra për ndihmë juridike në kuadër të Institutit të Kosovës për Drejtësi.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i këtij instituti tha se ka argumente që dëshmojnë orkestrimin e votimit nga subjekti politik, Lista Serbe.
“Ka numër të madh të lokaliteteve ku nuk jeton fare komuniteti boshnjak dhe rom dhe në anën tjetër kemi me mijëra vota ku këto parti politike, do të thotë boshnjake dhe rome kanë marrë përafërsisht 10 mijë vota, të cilat e kanë devijuar legjitimitetin e përfaqësuesve të popullit të këtyre pakicave që jetojnë në Kosovë”, thotë Miftaraj.
Miftaraj përmend si argument Mitrovicën, ku thotë se janë rreth 500 banorë të komunitetit boshnjak me 300 persona me të drejtë vote dhe një parti politike boshnjake, sipas tij, ka arritur të marrë përafërsisht 2 mijë apo 3 mijë vota.
“Njëjtë ka ndodhur në Graçanicë dhe Partesh, ku nuk ka pothuajse asnjë banor boshnjak dhe kanë fituar këto parti nga 200-300 vota. Thjesht, është në kundërshtim në radhë të parë me frymën e Kushtetutës, por edhe me rregullat e lojës që janë të përcaktuara me Ligjin për zgjedhjet”, thotë Miftaraj.
Çfarë ndodhi në zgjedhje?
Komunitetet joserbe akuzojnë “Iniciativën Rome”dhe “Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq”, se në zgjedhjet e 14 shkurtit janë ndihmuar nga Lista Serbe që të marrin vota në lokalitete ku nuk jetojnë as rom, ashkali, egjiptian e as boshnjak.
Sipas rezultatit të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, “Iniciativa Rome” ka arritur të fitojë dy deputetë, ndërkaq partia boshnjake, “Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq”, ka fituar një ulëse.
Sipas rezultatit, “Komuniteti i Bashkuara Adrijana Hoxhiq” ka fituar 6.422 vota, ndërkaq, “Iniciativa Rome” ka siguruar 4.049 vota.
Hoxhiq vazhdimisht ka mohuar akuzat se është ndihmuar nga Lista Serbe që të sigurojë vota në lokalitetet me shumicë serbe.
Kushtetuta e Kosovës ia garanton komunitetit boshnjak tri ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Komunitetit turk i ka të garantuara dy ulëse, ndërkaq për përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas janë të garantuara nga një ulëse si dhe një ulëse shtesë për njërën nga këto komunitete, që fiton më së shumti vota.
Një ulëse e garantuar i takon edhe komunitetit goran.
Më së shumti ulëse i garantohen komunitetit serb, gjithsej dhjetë.
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...