Kushtetuesja ende pa vendim për rritjen e pagave nga kryeministri Haradinaj

13:47 | 13 Shkurt 2018
Arbresh.info

Lëvizja Vetëvendosje javë më parë ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagave.

Lidhur me këtë deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka thënë për Telegrafin se ende nuk kanë informacion se kur do të merr vendimi Gjykata Kushtetuese lidhur me këtë.

“Nuk kam ndonjë informacion lidhur me atë se kur Gjykata Kushtetuese do të vendosë lidhur me lëndën që kemi proceduar. Siç kanë thënë për opinionin publik, do ta trajtojnë në përputhje me afatet kohore të parapara me rregulloren e brendshme të tyre”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka theksuar se presin që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim të drejtë në lidhje me çështjen e rritjes së pagave nga kryeministri Haradinaj.

“Ne presim që kjo çështje të bëhet sa më parë dhe natyrisht presim nga Gjykata Kushtetuese të vlerësoj drejtë dhe të marrë vendim në përputhje me Kushtetutën”, u shpreh Haxhiu.

Ndërkaq, nga Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se janë në shqyrtim të kësaj kërkese.

“Kjo lëndë është në fazën e shqyrtimit dhe ende nuk ka ndonjë vendim. Kjo varet prej gjyqtarëve, nuk mund të dimë saktë se kur do të merret vendimi”, thuhet në përgjigjen e Telegrafit nga Gjykata Kushtetuese.

Edhe ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri dje në një intervistë për emisionin “Përballje”, ka bërë të ditur se pas vendimit të Kushtetueses, në rast se nuk shfuqizohet vendimi i kryeministrit Haradinaj, atëherë pagat do të merren në mënyrë retroaktive.

“Në momentin që ky vendim nuk do të jetë i kontestueshëm më tutje, do ta presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pagat do të merren në mënyrë retroaktive nga momenti kur janë rrit pagat”, ka thënë Tahiri.

Kujtojmë se Agjencia Kundër-Korrupsionit e ka shpallur të jashtëligjshëm vendimin e Ramush Haradinajt për rritjen e pagave të kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë qeveritar. Vendimi për rritjen e pagave të kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë qeveritar u mor në dhjetor të vitit të kaluar. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme