Google ADS

Kushtet e Qendrës së Studentëve në kohë pandemie, regjistrimin e mbajnë pezull MAShT-i e IKSHP-ja

12:05 | 27 Shtator 2020
L G

Qendra Studentore në Prishtinë ende nuk ka filluar regjistrimin e studentëve. E gatshme për të pranuar studentë, pas përdorimit si Qendër Krantinimi, por me numër jo të njejtë nga vitet e kaluara shkaku i pandemisë COVID 19.

Përveç dezinfektimit, aty po bëhen edhe investime, për përmirësim të kushteve të jetesës për studentët.

Këtë e pohoi edhe Isak Beha, Drejtor i Qendrës për Strehim në një intervistë dhënë për arbresh.info.

Beha thotë se presin  Ministria e Arsimit dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës që tu japin sinjal, se kur mund të hapin konkursin për regjistrimin e studentëve.

“Në momentin që merret vendimi, Qendra e Studentëve i ka bërë të gjithë përgatitjet dhe është e gatshme që të bëjë vendosjen e studentëve në konvikte”, tha Beha.

Portali arbresh.info ka intervistuar edhe disa studentë të cilët mund të jenë pjesë e konvikteve, mirëpo të njëjtit thonë se ende nuk kanë informacione se kur mund të hapet konkursi.

Kështu janë përgjigjur Igballe Blakqori dhe Gazmend Osmani nga Komuna e Podujevës.

Ndërsa studenti tjetër, Shkëlzen Avdyli, nga Suhareka thotë se së shpejti duhet të bëhet një zgjidhje për këtë çështje.

“Jo nuk kam informacione, po besoj që do ja bëjnë një zgjidhje shpejt, në rast se nuk hapet. Ajo dihet që nëse hapet, e nëse jo kanë arsye të fort për shkak të virusit”, tha Avdyli.

E ndër tjerash Beha po ashtu ka bërë të ditur se Qendra Studentore është dezinfektuar dhe veç asaj kanë vazhduar edhe me projekte dhe investime të tjera të cilat kanë qenë të parapara.

‘’Qendra e Studentëve me rastin e mbylljes si karantinë e cila ka shërbyer, ka ndërmarrë të gjitha veprimet dhe ka dezinfektuar të gjitha konviktet. E përveç dezinfektimit të  gjitha konvikteve dhe hapësirave në qendrën e studentëve ne kemi vazhduar me projekte të cilat kanë qenë të planifikuara më parë, në implementimin e atyre projekteve, konkretisht jemi duke bërë investime në 5 konvikte që janë të ndërtuara në vitet 70-80. Nga konvikti numër 1-5 janë duke u ndërruar dyert e reja”, tha Beha.

E, për shkak që virusi të mos përhapet brenda QS-së, Beha thotë se në diskutim me Ministrinë dhe Institutin, mund ta reduktojnë numrin e studentëve me një dhomë.

“Për limitimin e numrit të studentëve në dhoma varet nga vendimi të cilin e merr Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik të Kosovës, dhe Ministria e Arsimit, dhe nëse ato do vendosin ashtu ne do  zbatojmë komplet vendimin i cili merret nga organet kompetente”, deklaroi Beha.

Pasi Qendra Studentore nuk do të shërbente më si hapësirë karranitnim, studentët e saj u thirrën që t’i marrin gjësendet e tyre, të cilat nuk i gjetën ashtu siç i kishin lënë.

E për këtë, Beha thotë se me këtë rast ende janë duke u marrë organet kompetente.

“Çështja e përmendur, janë duke u marrë organet kompetente me të. Rastet e tilla ne qysh me kohë i kemi lajmëruar në polici dhe sipas informacioneve të fundit që posedojmë rastet janë në procedim dhe u takon organeve të vendosin për fatin e tyre”, tha Beha.

Në Qendrën e Studentëve në Prishtinë çdo vit akomodohen rreth 4 mijë studentë të cilët studiojnë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa këtë vit mund të këtë ndryshime për shkak të situatës pandemike.

Viti akademik 2020/2021 nuk do të fillojë me 1 tetor për studentët e vitit të parë të universiteteve publike, por vetëm për ata të viteve të tjera./ElonaHaxhiu/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme