Data 9 maj shënon tradicionalisht ditën kur është hedhur hapi i parë për krijimin e Bashkimit Evropian (BE) 74 vjet më parë.
Për herë të parë në histori të vendit, kjo datë e gjen Kosovën me më shumë të drejta për qytetarët, fillimisht me liberalizimin e vizave, e pastaj mundësinë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës për të cilin Kosova është vetëm një hap larg.
Pas mbështetjes për anëtarësim nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, kjo çështje u ka kaluar në dorë ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës.
E megjithatë, Kosova ende ka shumë punë për të bërë për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian
Analisti politik, Dritero Arifi, për Arbresh.info thekson se vendi ynë më shumë ka hasur në sfida politike sesa juridike gjatë këtij procesi.
Sipas tij, në disa raste, Kosova juridikisht është më mirë se disa shtete anëtare të KiE-së.
“Nga aspekti juridik, Kosova që moti ka plotësuar kushtet, por problemi ka qenë derisa ka qenë Rusia anëtare e Këshillit të Evropës as nuk është diskutuar ndonjëherë që Kosova mund të futet në agjendë, pra vetëm pas ndryshimit të gjeopolitikës në kontinentin e Evropës atëherë është hapur një mundësi e mirë që Kosova mund të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Sfida më e madhe ka qenë politike për shkak të lobimit të fuqishëm rus dhe serb në KiE. Besoj që në disa raste jemi edhe më mirë se disa shtete anëtare të KiE-së, por sido qoftë vendimet politike nganjëherë dinë të jenë të pamëshirshme për vendet aspirantë, në këtë rast për Kosovën”, pohon Arifi.
Faza e parë, sipas tij, ishte më e vështirë për Kosovën, por më e parashikueshme, ndërsa në këtë fazë që jemi aktualisht, ai thotë se Kosova është në një pozitë më të paparashikueshme.
“Rrugëtimi i Kosovës në KiE në fazën e parë ishte i vështirë por i kalueshëm dhe në një far mënyre i parashikueshëm. Tash në fazën e dytë në të cilën jemi ne, rrugëtimi i Kosovës është i paparashikueshëm për shkak të kushteve politike”, shprehet Arifi.
Në rast se Kosova anëtarësohet në KiE, sipas tij, do të ishte një përfitim shumë i madh për zhvillimin e demokracisë.
“Në rast të anëtarësimit të Kosovës në KiE, do ta fitonte një far subjektiviteti të shtetësisë të Kosovës në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare sepse është një organizatë me rëndësi, dhe e dyta është që do të përfitonin qytetarët drejtësia ku ata do të mund të ankoheshin në Gjykatën e Drejtësisë në Strasburg për të drejtat e njeriut, kështu që do të ishte benifit shumë i madh për zhvillimin e demokracisë brenda Kosovës”, thekson Arifi.
Më pesimist lidhur me ecurinë e procesit të anëtarësimit të Kosovës në KiE është analisti politik, Artan Muhaxhiri.
Sipas tij, për anëtarësimin e Kosovës në këtë Këshill duhet të plotësohet kërkesa e Gjermanisë dhe Francës, e cila është themelimi i Asociacionit.
Kjo sipas tij, pasi Kosova ende nuk është përfshirë në agjendën e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, i cili do të mblidhet me 16 dhe 17 maj 2024.
“Kërkohen hapa të rëndësishëm drejt themelimit të Asociacionit, prandaj pa plotësimin e kësaj kërkese nuk do të ketë përfshirje të Kosovës në agjendën finale. Kjo është bërë e qartë edhe nga presidenti Macron edhe nga kancelari Scholz kështu që përgjegjësia është në anën e Kosovës edhe Kurti duhet të ketë vullnet , guxim dhe inteligjencë politike që ta marr hapin e vetëm të duhur që është dërgimi i draftit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese”, pohon Muhaxhiri teksa shtoi se në të kundërtën, do të ishte një humbje shumë e madhe për Kosovën.
Kosova sipas tij, është përballur me presione të mëdha, mirëpo, çfarëdo kompromisi që bëhet pa e dëmtuar Kosovën, sipas tij ja vlen.
“Kosova është në një pozitë të veçantë dhe natyrisht që njëjtë sikur edhe proceset e tjera, edhe procesi i anëtarësimit në KiE ka pasur sfida të jashtëzakonshme dhe janë kërkuar kompromise shumë të mëdha. Për herë të parë një proces i anëtarësimit në KiE ka qenë i ndërlidhur me një proces që zhvillohet nga një institucion tjetër nga BE. Presionet kanë qenë shumë të mëdha mirëpo të gjitha këto kanë janë rezultate të pozitës politike të veçantisë që e ka Kosova në nivelin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por gjithsesi çdo kompromis që bëhet pa e dëmtuar shtetin e Kosovës ja vlen dhe është pozitiv vetëm që të anëtarësohet Kosova në KiE”, shprehet Muhaxhiri.
Megjithëkëtë, Kosova ende nuk ka hyrë në agjendën e mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Sipas agjendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të 75-vjetorit të Organizatës.
Kosova aplikoi për t’u anëtarësuar në këtë organizatë gati dy vjet më parë – më 12 maj, 2022.
Më 27 mars të këtij viti, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Bakoyyanis, e cila tha se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i organizatës, ndërsa Asociacionin e konsideroi si çështje të brendshme të Kosovës.
Krerët e shtetit të Francës dhe Gjermanisë e kanë parë si kush themelimin e Asociacionit për anëtarësim në KiE, mirëpo një gjë e tillë u kundërshtua dje nga kryeministri Albin Kurti.
Kryeministri ka thënë se Republika e Kosovës nuk pranon që anëtarësimi në Këshill të Evropës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe teksa potencoi se janë plotësuara standardet, kriteret, kushtet e parakushtet që janë kërkuar për t’u bërë anëtare e KiE-së.
I përbërë prej 46 shtetesh anëtare, 27 prej të cilave anëtare të Bashkimit Evropian, Këshilli i Evropës është organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut./Arbresh.info/Ejona Hyseni/
KD: Procesi për përzgjedhjen e kryeprokurorëve – kryesisht m...
Rama me magjinë e rrugës për në Kolonjë, uron një ditë të mb...
Guterres: Bombardimet e Izraelit në Jemen janë jashtëzakonis...
Hasani e thotë me bindje: Shqipëria do jetë anëtare e BE-së ...
Real Madridi ndryshon emrin e stadiumit Santiago Bernabeu pë...
BE kërcënon Rusinë me sanksione