Kush po e pengon regjistrimin e Trepçës si ndërmarrje publike

15:12 | 3 Mars 2019
Arbresh.info

Edhe pse ligji për Trepçën është miratuar tash e gati tri vjet dhe statuti i miratuar në Kuvendin e Kosovës muaj më parë, Beogradi zyrtar po bëhet pengesë për regjistrimin e aseteve të Trepçës si ndërmarrje publike.

Kryeministri Ramush Haradinaj u bëri thirrje minatorëve të Trepçës nga komuniteti serb që mos të bien pre e Beogradit zyrtar.

“Statuti është i aprovuar, tash është pjesa administrative, është në proces, mund të ndodhë në dy tre ditët ose edhe javë. Pra, ajo që është risi, diçka e re dhe që është diçka e merituar, minatorët më nuk janë veç punëtorë, por janë edhe pronar të Trepçës. 20 për qind të aksioneve të përgjithshme të Trepçës janë të minatorëve, të shqiptarëve por edhe të serbëve në veri. I bëj thirrje minatorëve të përkatësisë etnike serbe të Kosovës, ta fitojnë të drejtën ligjore dhe të mos bien në ndikimin e Beogradit lidhur me statusin e tyre si aksionar”, ka thënë Haradinaj për KP.

Ndonëse, autoritet e Kosovës kanë rezervuar tri vende në bordin e Trepçës për komunitetin serb, udhëheqësit e këtij gjiganti në veri të Mitrovicës refuzojnë t’i japin përgjegjësi bordit të Trepçës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se inkuadrimi i minoritetit serb në bordin e Trepçës, është paraparë për shkak të rëndësisë së Trepçës në veri të Mitrovicës.

“Është një vendim që parlamenti i Kosovës e ka marrë edhe me ligj, edhe me statut dhe tani edhe regjistrimi i aseteve që do të bëhet, parasheh inkuadrimin e minoritetit serb në bordin e Trepçës, ku tre vende nga nëntë sa janë paraparë për serbët për shkak të rëndësisë që ka pjesa biznesore në veri”, ka thënë ministri Lluka.

Mos regjistrimi i ndërmarrjes Trepça, për ministrin e MZHE, Valdrin Lluka nuk e ka dëmtuar imazhin e ndërmarrjes, ndërkaq thotë se ka interesim prej investitorëve të huaj.

“Ka një imazh të mirë sepse dihet për vlerën e resurse që gjenden në Trepçë. Kështu që interesim ka, i kemi pasur deri më tani katër kompani që kanë ardhur për vizitë kryesisht nga Kandaja, të cilët kanë shprehur interesim. Ka edhe kompani të tjera nga Turqia, tash isha në diskutim edhe me disa kompani nga Shtetet e Bashkuara. Prandaj, tërheqja e investitorëve nëse bëhet me një proces të mirë dhe transparent dhe të besueshëm nuk do të jetë problem për Trepçën”, theksoi ai.

Ndërsa, profesori universitar Muhamet Sadiku thotë se resurset e Trepçës janë pjesë përbërëse e resurseve të Kosovës, andaj, nëse cenohen resurset në pjesën veriore kjo do të tregon se mund të cenohet edhe integriteti territorial.

Profesori Sadiku thotë se nuk ka vend për të lëshuar pe në këtë drejtim, sepse Trepça duhet të jetë brenda tërësisë ekonomike të Kosovës.

“Statuti është një drejtim i mirë për rregullimin juridik të shumë çështjeve, por le të presim se si do të zbatohet ky statut. Ideja kryesore e statutit është se Trepça duhet të jetë një tërësi ekonomike, teknologjike, metalurgjike, prodhuese dhe eksportuese. Çdo largim nga ky koncept është shumë i pa pranueshëm”, thotë ai.

Ndërsa, kryesuesi i Bordit të Trepçës, Ardian Syla nuk është përgjigjur për problemet e regjistrimit të ndërmarrjes Trepça.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme