Google ADS

Kush janë 8 burrat që e përfaqësuan sot Kosovën në Bruksel

19:19 | 8 Janar 2019
Arbresh.info

Nga grupi i madh i burrave që i dolën përballë Federica Mogherinit të martën, shumica kanë të kaluar politike të lëvizshme.

Krerët e ekipit kanë ndërruar pozicione e parti ndër vite, raporton KTV.

Bashkëkryesuesi i parë – Fatmir Limaj, ish-komandant në luftë, udhëheq me partinë Nisma Socialdemokrate, dhe ka 8 deputetë në Kuvend, duke qenë grupi i shtatë parlamentar në Kuvend.

Limaj ka kaluar në disa procese gjyqësore, si për krime lufte, ashtu edhe për dyshimet për korrupsion, dhe është shpallur i pafajshëm në të gjitha.

Nga PDK-ja, ku ishte numri dy për shumë vjet, ka dalë me shumë hatër-mbetje, por në vitin 2018 ka hyrë në koalicion parazgjedhor me ish-udhëheqësin e SHIK-ut, Kadri Veseli, organizatë të cilën e ka akuzuar për të gjitha të këqijat që i kanë ndodhur.

Lakimet e Shpend Ahmetit në skenën publike, si bashkëkryesuesi i dytë, janë më të mëdha. Ai në opinion është paraqitur si njohës i ekonomisë dhe i shkolluar i Harvardit. Ka krijuar GAP-in, një organizatë joqeveritare që bën analiza ekonomike dhe të qeverisjes lokale.

Pas dështimit për ta kaluar pragun me partinë FER, Ahmeti kaloi në Vetëvendosje, me të cilën parti fitoi bindshëm ndaj Isa Mustafës në vitin 2013, dhe mezi mori 300 vota më shumë se Arban Abrashi në vitin 2017 për mandatin e dytë.

Në vitin 2018, e la edhe Vetëvendosjen, duke e ringjallur PSD-në e Kaqusha Jasharit, dhe duke ia shkëputur në proces 12 deputetë Vetëvendosjes.

PSD-ja e tij e ka hisen më të madhe në dialogun konsultativ, pasi që aty janë edhe Visar Ymeri e Dukagjin Gorani.

Ymeri, një ish-gazetar dhe pionier i parullës ‘Jo Negociata – Vetëvendosje’, ka qenë lider formal një kohë i partisë së Kurtit.

Në tavolinën e madhe është paraqitur edhe Dukagjin Gorani, që për më shumë se 4 vjet ka qenë njëri nga bashkëpunëtorët kryesorë të Hashim Thaçit para se të bëjë tranzicionin në Vetëvendosje, nëpërmjet analizës, për të përfunduar në partinë e rinovuar, PSD.

Enver Hoxhaj që prej inkuadrimit në skenën politike, ka qenë pjesë e PDK-së, ku vazhdimisht ka qenë ndër 3 më të votuarit në këtë parti, dhe ka shërbyer për disa vjet si ministër i Jashtëm.

Një votë e vetme në Kuvend, i ka mundësuar Dardan Gashit, përveç postit të zv.kryeministrit e ministrit të Diasporës, edhe një vend në delegacionin shtetëror.

Gashi nuk ka marrë pjesë në procesin e fundit zgjedhor, por e menaxhon votën e Teuta Rugovës, në favor të koalicionit qeveritar,edhe pse ajo zyrtarisht është pjesë e Grupit Parlamentar të LDK-së në opozitë.

Behgjet Pacolli i ka provuar me rend koalicionet me PDK-në, LDK-në, AAK-në e të tjerat, dhe është gjithmonë i gatshëm të bashkëpunojë edhe me Vetëvendosjen.

Dhe, krejt në fund Mahir Yagcilar, që e përfaqëson komunitetin turk, ka qenë pjesë e të gjitha qeverive të pasluftës.

Më parë, dialogun e nivelit konsultativ në Bruksel, e ka udhëhequr – një grua e vetme – Edita Tahiri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme